Kanali i veçantë televiziv për Diasporën futet në ligjin e ri
Prishtinë, 15 maj - Diaspora shqiptare do të ketë një kanal televiziv të dedikuar në veçanti për bashkatdhetarët tanë. Kjo tashmë është pjesë e draftligjit të ri për diasporën, ku një kanal i ri i përbashkët me Republikën e Shqipërisë, përkatësisht mes Radio Televizionit të Kosovës dhe Radio Televizionit të Shqipërisë do të hapet në kohën sa më të shpejtë që është e mundur.
Në të do të prodhohen e transmetohen programe të dedikuara ekskluzivisht për diasporën tonë.
Zv. kryeministri / ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ua bëri me dije këtë përfaqësuesve të shoqatave dhe mediave të diasporës nga Gjermania dhe Danimarka, të cilët po takojnë institucionet e Kosovës për t’i njoftuar rreth projekteve, por, njëkohësisht, për t’i shprehur kërkesat e tyre konkrete, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi mes institucioneve dhe diasporës.
“Jemi të vetëdijshëm për nevojën që diaspora jonë ka për një kanal të veçantë. Momentalisht në ligj është e specifikuar se Radio Televizioni i Kosovës duhet të rezervojë 6-9% të programit të vet për diasporën, mirëpo kjo është vështirë e matshme, andaj me ministrin Majko jemi dakorduar për hapjen e kanalit të përbashkët për diasporën mes RTK-së dhe RTSH-së. Kjo iniciativë tashmë është pjesë e draftit të ligjit të ri për diasporën”, tha ministri Gashi.
Ministri Gashi, po ashtu, krahas kësaj iniciative, e informoi grupin e bashkatdhetarëve për punën që po bëhet në fuqizimin dhe themelimin e Qendrave të Përbashkëta Kulturore , e Republikën e Shqipërisë, qendrën e përbashkët të botimeve – që paraqet një ndihmë të madhe në përmirësimin e gjithanshëm të procesit të mësimit plotësues në diasporë, si dhe projekte të tjera me interes për bashkatdhetarët tanë.