Javën e ardhshme fillon inventarizimi i hapësirave

Prishtinë, 21 maj - Komuna e Prishtinës priti sot në takim një delegacion nga qyteti i Zagrebit, i ardhur në Prishtinë për ta ndihmuar Komunën tonë lidhur me zgjidhjen e problemit të transportit publik dhe parkingut.
Pjesë e këtij delegacioni është z. Zoran Toliç nga Kompania e Transportit Publik të Zagrebit, bashkë me dy ekspertë tët kësaj kompanie, që së bashku me ne të punojnë në riorganizimin dhe reformimin e transportit publik në Prishtinë. Do të fillojmë punën në planin e mobilitetit, që më pas do ta përpunojmë edhe me BERZH-in për ta finalizuar këtë hap fondamental për zhvillimin e transportit publik.
Me z. Mate Kraleviç, Komuna e Prishtinës është duke punuar për rregullimin e parkingjeve sipas modelit të Zagrebit, dhe për këtë arsye, z. Kraleviç ka marr me vete edhe njeriun që e ka zbatuar këtë model në Zagreb.
Qysh javën e ardhshme fillojmë inventarizimin e hapësirave me Fakultetin e Makinerisë, përkatësisht Departamentin e Komunikacionit, në zonën e parë - Qendër. Gjatë muajve maj dhe qershor do të bëhet inventarizimi i hapësirave në këtë zonë, e menjëherë pas kësaj do të bëjmë shënjimi i këtyre zonave, që të definohet se cila pjesë është për parking e në cilën pjesë është i ndaluar parkingu.
Brenda dy javëve të ardhshme do të fillojmë lirimin e trotuareve, duke pamundësuar parkingun në ato pjesë, dhe në muajt korrik dhe gusht do të fillojmë me përpunimin e softuerit të domosdoshëm në mënyrë që në shtator të fillojmë me parkingje të paguara në zonën Qendër të Prishtinës.
Ky projekt që kemi ne si Komunë, në bashkëpunim me qytetin e Zagrebit, është vetëm një nga shumë punët që do ti bëjmë së bashku. Rendi komunal dhe hapësirat publike në Prishtinë, do të jenë në dobi të qytetarëve të kësaj komune.