Itali - Kosovë pritet intesifikimi i marrdhënjeve në infrastrukturë
Prishtinë, 4 korrik - Sot ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota, priti për vizitë ambasadorin e Italisë në Kosovë, Michael Giffoni, me të cilin bisedoi për tema me interes për të dy vendet në fushën e infrastrukturës dhe të transportit.
Ministri Fehmi Mujota, pasi e falënderoi ministrin Giffoni për përkrahjen e gjithanshme, që Italia ia ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat, e njoftoi mysafirin e tij me zhvillimet aktuale në fushat, që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, me projektin madhor të autostradës Vërmicë-Merdar, me dinamikën e punimeve të realizimit të këtij projekti dhe për çështje të tjera të këtij lëmi.
Gjatë takimit u bisedua në pika të përgjithshme për zhvillimin e bashkëpunimit midis ministrive homologe të Kosovës dhe Italisë, e veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e transportit ndërkombëtar dhe të qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave.
Lidhur me këtë u tha se tashmë është akorduar propozim-marrëveshja për bashkëpunim në këtë fushë midis dy ministrive homologe, e cila do të ndikojë në intensifikimin e mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi.