IPKO rrit mbulueshmërinë dhe kapacitetin e rrjetit 3G
Prishtinë, 12 shkurt - Me qindra mijëra përdorues të rinj të telefonisë mobile IPKO-së do të kenë qasje në internetin e shpejtë 3G nga pajisjet e tyre mobile, pasi që operatori i parë dhe i vetëm me rrjetin 3G në Kosovë, IPKO është duke e shtrirë rrjetin e saj 3G edhe në shumë shumë zona të reja, ku përdoruesit e saj jetojnë ose punojnë.
Në fazën e njëjtë të zgjerimit të rrjetit të saj mobil, IPKO do të vazhdojë ta rrisë kapacitetin e rrjetit 3G edhe në zonat e mbuluara aktualisht, për ti dhënë përdoruesve të saj ekzistues përvojë edhe më të mirë të përdorimit të internetit të shpejtë mobil, pikërisht në vendet prej nga ata e përdorin 3G-në më së shumti.
IPKO ka planifikuar që deri në mes të muajit mars, zgjerimi dhe rritja e kapacitetit të rrjetit 3G të bëhet në Prishtinë, Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Ferizaj, Gjakovë, Prizren dhe Pejë.
Tani, për të parën herë, rrjeti 3G do të fillojë të shtrihet edhe në zonat rurale të vendit, ku është planifikuar të vendosen pika të reja të cilat do të mbulojnë edhe rrethinat, si në Hajvali, Komoran, Konushec, Magjunaj, Mushtisht, Studenqan, Dragobil, Junik, Krushë e Madhe, Llazicë, Orobërd dhe Zahaq.
Mbulueshmëria e re e IPKO-së me rrjetin 3G do të bëjë që më shumë se 47 për qind e territorit të Kosovës të ketë sinjal të mirë të rrjetit 3G në ambient të jashtëm, dhe poashtu sinjal të mirë me 3G edhe në ambiente të mbyllura.
IPKO është zotuar që të jetë lider i inovacionit në Kosovë, prandaj gjithnjë do të jetë operatori i parë mobil në Kosovë i cili i sjell i pari teknologjitë e reja tek qytetarët e Kosovës ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv i kompanisë IPKO.
IPKO njihet si operatori i parë mobil, sa i përket çmimeve të volitshme, kualitetit të shërbimeve, stabilitetit dhe mbulueshmërisë së rrjetit të telefonisë mobile në Kosovë, ndërsa mbetet operatori i parë dhe i vetëm me rrjetin 3G.