IPKO regjistroi 60 mijë klientët e parë të telefonisë mobile
Prishtinë, 24 janar - Rregullorja për Regjistrimin e Përdoruesve të Telefonisë Mobile e miratuar nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), ka mobilizuar përdoruesit e telefonisë mobile IPKO, të cilët kanë regjistruar sim-kartelat e tyre me numër 049.
Njëzet ditë pas fillimit të zbatimit të rregullores së ARTsë për regjistrimin e të gjithë konsumatorëve të telefonisë mobile, IPKO ka arritur të regjistrojë 60 mijë konsumatorë të cilët kanë qenë të parët që i janë përgjigjur thirrjes së operatorit të tyre mobil për regjistrimin e tyre si përdorues të numrit mobil.
Edhe pas kësaj përgjigje masive nga përdoruesit, ne apelojmë tek konsumatorët tanë ekzistues dhe ata potencial që ta regjistrojnë numrin e tyre mobil IPKO, para datës 28 shkurt 2011 ka thënë Alban Kastrati, Drejtues i Marrëdhënieve me Publikun në IPKO. Ne duhet të regjistrojmë edhe qindra-mijëra përdorues të tjerë të mbetur, prandaj konsumatorët tanë nuk duhet ta humbin asnjë rast për regjistrimin e numrit të tyre mobil.
Me 1 dhjetor 2010 ka hyrë në fuqi Rregullorja për Regjistrimin e Përdoruesve të Telefonisë Mobile e miratuar nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), sipas së cilës rregullore, të gjithë ofruesit e shërbimeve telekomunikuese mobile obligohen që të bëjnë regjistrimin e përdoruesve me parapagim para aktivizimit të shërbimit.
Konsumatorët e telefonisë mobile IPKO mund ta regjistrojnë numrin e tyre mobil në ndonjërin nga dyqanet IPKO apo tendave të vendosura nëpër të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, si dhe online përmes uebfaqes zyrtare të kompanisë, ku regjistrimi është i pjesshëm.
Çdo konsumator i shërbimeve të telefonisë mobile në Kosovë, i cili blenë sim-kartelë pas datës 1 Janar 2011, nuk do të mundet të bëjë aktivizimin e sim-kartelës përderisa nuk kompleton procedurën e regjistrimit me operatorin e përzgjedhur nga përdoruesi.