IPKO, për të gjithë qytetarët e Kosovës
Prishtinë, 26 prill - Për vite me radhë, IPKO ka bërë shumë për komunitetin dhe tërë shoqërinë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe qytetarët serb, dhe minoritetet tjera. Përmes mbulueshmërisë së telefonisë mobile, IPKO si operator i licencuar, për herë të parë u ka ofruar atyre qasje të plotë në të gjitha produktet dhe shërbimet e avancuara të telefonisë mobile, në çdo vendbanim.
Sot, kompania IPKO është investimi më i madh i huaj direkt në Kosovë, dhe investimi më i madh jashtë Sllovenisë, për të cilën grupi ndërkombëtar i telekomunikacionit - Telekom Slovenije ka paguar 75 milion euro vetëm për licencë të telefonisë mobile, dhe ka investuar më shumë se 230 milion euro në total, për të ndërtuar rrjetin dhe infrastrukturën më të fundit, në tërë territorin e Kosovës, dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Si operator i licencuar për tërë territorin e Republikës së Kosovës, IPKO ka ndërtuar rrjetin i cili mbulon me sinjal të telefonisë mobile 99.7 për qind të popullsisë në Kosovë, përkatësisht 98.5 për qind të territorit, të cilin e ka ndërtuar me qëllim të ofrimit të kualitetit dhe shërbimeve bashkëkohore të telekomunikimit.
Përkundër gjitha investimeve dhe angazhimit të saj maksimal, për ofrim të gjitha produkteve dhe shërbimeve të telekomunikimit, për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë kësaj fundjave, kanë ndodhur disa incidente të cilat kanë pasur cak, stacionet bazë të telefonisë mobile IPKO.
Përveç dëmeve të shkaktuara në antenat bazë të telefonisë mobile, IPKO gjithashtu ka pësuar edhe në të hyra, dhe kostot e përgjithshme të kompanisë janë ende duke u llogaritur nga kompania.
Kompania telekomunikuese IPKO aplikon të gjitha ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, dhe është duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë, që të mbrojë pronën e saj nga çdo individ apo grup, i cili synon që ta dëmtojë atë.
Në anën tjetër, ekipet e telefonisë mobile IPKO janë duke punuar vazhdimisht që të sanojnë dëmet e shkaktuara në incidentet e fundit që kanë ndodhur, dhe po bëjnë çdo gjë që është që është e mundur, që ta kthejnë shërbimin e telefonisë mobile, në zonat ku i njëjti është dëmtuar.
Infrastruktura dhe rrjeti i telekomunikimit i ndërtuar nga kompania IPKO, është pasuri shtetërore dhe e njëjta do ti shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës, për komunikim të pandërprerë në shërbimet bashkëkohore të telefonisë mobile, fikse, internetit, dhe televizionit digjital.
Prandaj, IPKO, si kompani me përgjegjësi të lartë shoqërore dhe e cila kontribuon shumë në zhvillimin e komunitetit lokal, apelon tek të gjithë qytetarët dhe institucionet përkatëse në Republikën e Kosovës, që ta mbrojnë pronën e saj nga gjithë individët apo grupet e papërgjegjshme, të cilët synojnë ta dëmtojnë atë.