IPKO - Mbi 50 mijë dollarë bursë të parregullt për djalin e Limajt
Prishtinë, 1 tetor - Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dëshminë që biznesmeni Akan Ismaili ka dhënë në prokurori në rastin hetimor për korrupsion kundër Fatmir Limajt. Ismaili, tash ambasador i Kosovës në ShBA, dëshmoi se rregullat e fondacionit Ipko u thyen, kur u vendos që djali i Limajt të fitonte bursë prej mbi 50 mijë dollarë për studime në ShBA.
Emri i Durim Limajt nuk figuron në listën publike të përfituesve të bursave. Ismaili dëshmoi se ishte bërë përjashtim, për shkak të autoritetit që kishte Fatmir Limaj.
Ish-drejtuesi i kompanisë Ipko, dëshmoi se përveç me Limajn, njihet edhe me kryeministrin Thaçi, i cili i kishte ofruar postin e ambasadorit.
Durim Limaj në vitin 2009 ka përfituar nga reputacioni, respekti dhe dhembshuria që njerëz të profilit të lartë të biznesit treguan për babain e tij, Fatmir Limajn, derisa drejtonte Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit.
I biri i Limajt, Durimi, në 2009-ën ka përfituar në mënyrë të parregullt një shumë prej 51 mijë e 243 dollarësh, nga Fondacioni Ipko, ku Akan Ismaili shërbente si anëtar bordi.
Fondacioni është entitet i ndarë ligjor nga kompania e telefonisë mobile Ipko, ku Ismaili ishte drejtor ekzekutiv.
Milioneri dhe ambasadori Akan Ismaili, që tash përfaqëson Kosovën në superfuqinë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa drejtonte kompaninë e dytë telefonike në vend Ipko dhe përpara se të merrte këtë post, njihte njerëzit më me ndikim të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.
Thaçi, të cilin Ismaili e njihte personalisht, i ofroi postin e ambasadorit në ShBA, ndërsa Limaj ishte përfitues nga Ismaili, përmes bursës që djali i tij mori nga ky fondacion.
Detaje rreth procedurave të parregullta gjatë dhënies së bursës për Durim Limajn, janë paraqitur për herë të parë në aktakuzën e rastin të njohur gjyqësor si MTPT I, ku Fatmir Limaj akuzohet se derisa ishte ministër i Telekomunikacionit, udhëhoqi një grup kriminal në Ministrinë e Transporteve që u merrte ryshfet kompanive private, në këmbim të dhënies së tenderëve.
Aktakuza e prokurorit special Johannes Pickert kundër Grupit Limaj, e ngritur më 5 dhjetor 2012, gjykimi i së cilës ka filluar këtë prill, e bën ish-ministrin, përgjegjës edhe për takime personale me operatorë ekonomikë, derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti.
Ismaili ishte një ndër dëshmitarët e shumtë që kishte dëshmuar gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj Limajt nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Dokumentet gjyqësore nga ky rast gjyqësor, të cilat i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, ofrojnë detaje të dëshmisë së Akan Ismailit dhënë para prokurorisë, ku përmenden arsyetimet që ambasadori i ofroi organit të ndjekjes, kur u pyet për shkeljen e procedurave në dhënien e bursës për Durim Limajn.
Ismaili, që në aktakuzën e rastit përmendet për dhënien në mënyrë të kundërligjshme të bursës në vlerë prej 51 mijë e 243 dollarësh për Durim Limajn, pasi ishte paralajmëruar se duhej të thoshte të vërtetën, kishte dëshmuar më 11 nëntor 2011 për më shumë se një orë pranë Prokurorisë Speciale të Misionit Europian për Sundim të Ligjit-Eulex, në cilësinë e dëshmitarit.
Gazeta Jeta në Kosovë pyeti ambasadorin Ismaili për deklarimet e tij në prokurori, por ai nuk dha një përgjigje lidhur me to.
/Gazeta Jeta në Kosovë /