Ipko lanson Tvim
Dhe për të ndjekur trendet e fundit të inovacionit digjital, IPKO sot ka lansuar platformën inovative TVim, e cila mundëson shikimin e kanaleve të preferuara të televizionit digjital nga telefonat e mençur mobil, tabletët, laptopët, ose kompjuterët personal.
TVim u mundëson përdoruesve të internetit dhe pajisjeve të ndryshme mobile të shikojnë deri në 20 kanale të ndryshme televizive, në të cilat përfshihen kanale kombëtare, të informacionit, filmave, muzikës, sportit, dokumentarëve, dhe kanaleve për fëmijë.
Fillimisht, TVim ofrohet në dy pako televizive, abonimi në të cilat varet nga pakot e kombinuara fikse të IPKOsë të cilat një abonent i IPKO-së përdor në shtëpinë e tij (pako Familjare ose Premium). Aktivizimi i pakove të TVim mund të bëhet vetëm tek konsumatorët të cilët kanë pako ekzistuese të televizionit kabllor digjital të IPKO-së.
Regjistrimi në platformën televizive të TVim mund të bëhet online në faqen tvim.tv (me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin), apo përmes shkarkimit pa pagesë të aplikacioneve mobile për sistemet operative Apple iOS dhe Google Android.
Çmimi mujor i abonimit në TVim do të jetë pesë euro, ndërsa shërbimi mund të përdoret në tri pajisje të ndryshme mobile, njëkohësisht. Përdoruesit e TVim mund ta përdorin shërbimin plotësisht pa pagesë deri më 31 mars 2013.
IPKO është platforma e televizionit kabllor digjital me rritjen më të shpejtë në Kosovë.
Nga janari 2012, shkalla e rritjes së përdoruesve të televizionit digjital ka qenë 25 për qind, ndërsa krahasuar me janarin 2011, niveli i rritjes ka arritur në 53 për qind.