24 Dhjetor 2024

IPKO e “Kujtesa” gjobiten me 140 mijë euro

Prishtinë, 20 qershor - Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP) ka gjobitur kompaninë IPKO dhe “Kujtesa” për shkak të përdorimit të paautorizuar të resurseve radio-frekuencore.

Në vendimin e ARKEP-it e të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se operatori IPKO ngarkohet me detyrimin për pagesën të shumës prej nëntëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind eurove, për shkak të përdorimit të paautorizuar të këtyre resurseve radio-frekuencore.

Po ashtu, në vendim thuhet se për të njëjtin qëllim edhe kompania “Kujtesa” ngarkohet me detyrimin për pagesën të shumës prej dyzetepesë mijë eurove.

“Obligohet operatori IPKO të paguajë shumën prej nëntëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind eurove me detyrim efektiv të kompletimit të pagesës brenda gjashtëdhjetë ditëve nga data efektive e aktvendimit.\"

\"Obligohet operatori Kujtesa të paguajë shumën prej dyzet e pesë mijë eurove me detyrim efektiv të kompletimit të pagesës brenda gjashtëdhjetë ditëve nga data efektive e aktvendimit”, thuhet në vendimet e ARKEP-it.

Më tej në vendimin e ARKEP-it thuhet se gjetjet e raportit të matjes së muajit Tetor, 2012 me plotësimet e kryera pas administrimit të seancës këshilluese dhe takimit pasues në nivel përfaqësimi teknik, kanë konfirmuar shfrytëzimin e kapaciteteve frekuencore 2x 50 MHz = 100 MHz ne brezin 3.4 – 3.6 MHz dhe kapacitet frekuencore prej 1 x 100 MHz në brezin 3.6 - 3.7 MHz, përmes shumë pikave komunikuese të shtrira në gjithë territorin e vendit ku përdorimi i këtij brezi në shumicën e rasteve shfrytëzohet për shërbimet Pikë-shumë - Pikë (PMP) dhe Pikë-Pikë (PTP).

“Operatori IPKO ka ndërmarrë veprime dhe masa të kufizuara në zbatim të diapozitivit të vendimit Nr. 268, që ka urdhëruar ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar dhe mes tjerash ka kërkuar kohë shtesë për zbatimin e plotë të urdhrit të Autoritetit duke arsyetuarit me të qenit në pritje të aprovimit apo mosaprovimit të kërkesës për shtyrje të afatit nga ana e Autoritetit”, thuhet në vendim.

Më tej thuhet se IPKO përmes shkresave zyrtare ka tentuar të ndërtojë qëndrimin gjegjësisht bazën e arsyetimit duke potencuar se përdorimi i resurseve radio frekuencore është kryer edhe nga operatorë të tjerë dhe se për më shumë të njëjtat breze nuk kanë qenë shprehimisht të rregulluara nga ana e Autoritetit.

Po ashtu më tej thuhet se autoriteti përmes shqiptimit të masës sanksionuese ka marrë në konsideratë gjitha rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese të evidentuara dhe përgjegjësinë e operatorit, si dhe ka marrë parasysh nivelin e dëmit të shkaktuar nga shkelja duke e marrë për referencë kohëzgjatjen e shkeljes nga periudha e fuqizimit të vendimit Nr. 268, përmes përllogaritjes së ekuivalentit të pagesës për shfrytëzim të resurseve radio-frekuencore për periudhën 11 mujore, respektivisht 1 tetor 2012 deri 31 gusht, 2013.

IPKO: Vendimin e kemi marrë sot

Për këtë çështje gazeta ka kontaktuar me Arbër Arifin nga kompania “Kujtesa”, por ky nuk ka qenë në dijeni për vendimin që ka marrë ARKEP-ja. “Nëse do të kem kohë gjatë ditës së mërkurë do të merrem më këtë problem”, tha përmes telefonit Arifi.

Në anën tjetër zëdhënësi i kompanisë IPKO, Alban Kastrati, i kë thënë gazetës se gjatë ditës së djeshme, IPKO-ja e ka pranuar vendimin e ARKEP-it, dhe tash është duke e analizuar atë. “Në ndërkohë, ne do të vendosim nëse do të apelojmë ndaj këtij vendimi” – Alban Kastrati.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)