Ipko do ti kompensojë të gjithë konsumatorët e Tv Digjital
''Prishtinë, 1 shkurt - IPKO do ti kompensojë të gjithë konsumatorët e saj të televizionit kabllor digjital, të cilët në mbrëmjen e 27 janarit për disa orë kanë mbetur pa sinjal televiziv. Konsumatorët e pakove digjitale do të kompensohen me tri ditë abonim, falas.
Prishtinë, 1 shkurt 2010 Si pasojë e një anomalie teknike e cila ka ndodhur më 27 janar në satelitin W2 i cili ndodhet në hapësirë, konsumatorët e televizionit digjital të ofruar nga IPKO, për disa orë kanë mbetur pa sinjal televiziv.
Problemet me satelitin W2 u evituan shpejtë dhe i njëjti u kthye në pozicionin e duhur, duke e bërë të mundur kështu ri-transmetimin e kanaleve televizive, në të cilat edhe konsumatorët e IPKOsë nuk kishin qasje.
Të gjithë konsumatorët e IPKO TV Digjital, të cilët ishin përdorues aktiv më 27 janar 2010, duke filluar nga mbrëmja e datës 1 shkurt, do të kompensohen me tri ditë shërbim falas në televizionin digjital të IPKO-së. Konsumatorëve do tu shtohen tri ditë tjera abonimi në pakot aktive që kishin më 27 janar.
Zhvendosja e këtij sateliti ka lënë pa sinjal edhe 7 platforma të tjera televizive, dhe afro 400 kanale televizive të cilat mbulojnë me sinjal Evropën, Afrikën Veriore, dhe Lindjen e Mesme.
IPKO falënderon të gjithë konsumatorët e televizionit kabllor digjital për mirëkuptimin dhe kërkon edhe njëherë ndjesë për ndërprerjen e sinjalit si pasojë e avarisë së rëndë të ndodhur me satelitin në hapësirë.