IPKO 4G shumë herë mbi 100Mbps
Prishtinë, 21 mars - Interneti në mobil po dëshmohet shumë herë edhe më i mirë sesa ai që e kemi në shtëpi.
Së paku, kjo mund të thuhet nga shumica e atyre që i kanë modelet më të reja të telefonave të mençur mobil, të cilët e mbështesin rrjetin 4G.
Pothuajse dy vite pas lansimit fillestar të rrjetit 4G nga IPKO, shpejtësia mesatare e internetit që përdoruesit kosovarë të telefonisë mobile e marrin në telefonat e tyre është shumëfishuar dhe arrin mbi 100Mbps.
Tani pjesa dërrmuese e përdoruesve të rrjetit 4G në telefona mobilë, marrin shpejtësi mesatare të internetit në telefon shumë herë më të madhe sesa ajo që ka qenë në rrjetin 3G.
Në një lojë shpërblyese të cilën e ka organizuar IPKO për fansat e saj në Facebook, kompania i fton përdoruesit e rrjetit të saj 4G që ta testojnë shpejtësinë e internetit në mobil dhe ta postojnë rezultatin që ata e kanë marrë në telefonat e tyre.
Në shumicën e këtyre postimeve shihet se mesatarja e shpejtësisë së internetit në mobil e kalon 100Mbps. Madje në disa raste, maksimumi i shpejtësisë së IPKO 4G ka arritur edhe deri në 150Mbps.
Me këtë shkallë të madhe të përdorimit të internetit në mobil, por edhe me shpejtësitë e reja që tashmë i kemi në dispozicion, mundësitë janë të mëdha që zhvilluesit kosovarë të aplikacioneve mobile të krijojnë mundësi të reja për tregun kosovar por edhe atë të huaj, pasi që infrastruktura jonë mobile është mjaft e avancuar.