IPKO, 12 mijë euro për nëna dhe foshnja të shëndetshme
Prishtinë, 18 shkurt - Për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kompania IPKO ka dhënë rreth 12 mijë euro të hyra nga komunikimi me SMS. Të hyrat e saj, IPKO do ti jap për Fondacionin i cili mbron jetët e nënave dhe foshnjave të porsalindura kosovare.
Prishtinë, 18 shkurt 2010 Në përvjetorin e dytë të Pavarësisë së Kosovës, kompania IPKO ka kontribuar me rreth 12 mijë euro për shëndetin dhe mirëqenien e foshnjave të porsalindura në Kosovë.
Të hyrat e mbledhura më 17 shkurt, kompania IPKO do ti jap për Fondacionin për Nëna dhe Foshnja të Shëndetshme, i cili vazhdimisht është duke grumbulluar fonde për blerjen e sistemit të ri të oksigjenit në Njësinë Intensive të Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sistemi i ri i oksigjenit i cili do të instalohet nga kompania Dräger Medical, është më se i nevojshëm për ti mbrojtur foshnjat në Njësinë Intensive të Neonatologjisë, ndërsa do ti zvogëlojë edhe komplikimet tjera shëndetësore me të cilat ballafaqohen foshnjat e porsalindura, e posaçërisht ato që lindin para kohe.
Nga qindra mija SMS të dërguar më 17 shkurt, kompania IPKO ka grumbulluar saktësisht 11,924.22 euro, ndërsa të gjitha të hyrat e mbledhura në këtë ditë, IPKO do ti jap për të mbrojtur jetët foshnjave të porsalindura në vend.
Gjatë njëzet e katër orëve të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, konsumatorët e telefonisë mobile IPKO kanë dërguar afër gjysmë milioni SMS, nga pako të ndryshme të cilat ata përdorin, duke përfshirë edhe konsumatorët e shërbimit roaming.
Tash e sa vite, kompania IPKO është e përfshirë në projekte të përgjegjësisë sociale, të cilat në vazhdimësi e rrisin kontributin e saj në zhvillimin e kulturës, artit, sportit, rinisë dhe aktivitete humanitare në Kosovë.