Inspektohet gjendja e rrugëve në rajonin e Shalës së Bajgorës

Mitrovicë,, 4 shkurt - Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim , Musa Dragaj, kanë inspektuar gjendjen e rrugëve në fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgorës, pas motit me reshje që ka mbretëruar mbrëmë dhe sot deri në orët e pasdites.
\"Përkundër reshjeve dhe shtresës së krijuar të akullit, rruga kryesore dhe ato të fshatrave në këtë rajon, janë të kalueshme me mjetet dimërore. Operatorët e kontraktuar janë në gatishmëri që në rast të nevojës, të intervenojnë dhe zhbllokojnë rrugët, për të mundësuar qarkullimin e lirë të banorëve të kësaj zone, ka thënë nënkryetari Kamberi.
Përderisa në pjesën me ultësira të Komunës së Mitrovicës, e gjithë paradita ka qenë me reshje të skllotës dhe shiut, në pjesën kodrinore malore të Shalës së Bajgorës, ka patur reshje të borës, të cilat kanë shkuar deri në 20 centimetra, ndërkohë që era dhe fërfëlliza kanë shkaktuar vende-vende edhe ortiqe të vogla të borës, por jo të pakalueshme.
Bazuar në qarkullimin e zakonshëm të automjeteve, nënkryetari Kamberi dhe drejtori Dragaj kanë vlerësuar se tash për tash nuk ka nevojë për ndërhyrje nga kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve, ndonëse ato vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie, në rast të reshjeve dhe bllokimit eventual të intervenojnë me kohë.