24 Dhjetor 2024

INDEP kërkon të mos votohet ndryshim plotësimi i Ligjit për Automjete

Prishtinë, 23 tetor - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë ndryshim-plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

"Duke përcjellë me vëmendje iniciativën, përmbajtjen dhe pasojat që plotësim-ndryshimi do të sjellë, ne jemi të bindur që votimi i këtij projektligji do ta dëmtojë mjedisin në Kosovë, do t’i dëmtojë përpjekjet për ta përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe do ta rrezikojë sigurinë e qytetarëve në komunikacion.", pohon INDEP.

Duke monitoruar tashmë gjashtë vjet punën e Kuvendit të Kosovës, INDEP vlerëson se iniciativa është ndërmarrë pa asnjë analizë në terren të implementimit të ligjit aktual dhe pa të dhëna që mbështesin pretendimet se këto nene nuk po funksiononin.

"Ne kemi marrë pjesë në diskutimet gjatë dëgjimit publik në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal dhe kemi dhënë alternativat tona për ta reduktuar koston për qytetarët duke rritur sigurinë e duke respektuar rregullat vendore dhe evropiane në fushën e mjedisit:, thekson INDEP.

Ky ndryshim-plotësimi i kërkuar sipas INDEP nuk është rezultat i një monitorimi shumëpartiak të implementimit të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete por i një nisme të pabazuar dhe pa argumentuar.

Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje eksponenciale në vitet e fundit. Vjetërsia e veturave lidhet ngushtë me sigurinë në trafik dhe studime të shumta kanë dëshmuar se vjetërsia e veturës prej 15 vite e më tepër shton rrezikun për aksident dhe fatalitet për tri herë. 

"Në kohën kur numri më i madh i vdekjeve tragjike vjen nga komunikacioni, rritja e moshës mesatare të veturave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës do të nënkuptojë automatikisht edhe rritje të mëtejme të aksidenteve fatale".

Automjetet e vjetra gjithashtu dëmtojnë mjedisin me shkarkimet e ndotësve të dëmshëm si grimcat, monoksidi i karbonit, dioksidi i sulfurit, dioksidi i karbonit etj.

Këta ndotës ndikojnë në dëmtimin e kualitetit të ajrit, në rritjen e emisioneve kombëtare të dëmshme për klimën dhe përfundimisht shkatërrojnë shëndetin e popullatës.

Kufizimi i vjetërsisë së veturave është një masë e butë që dalëngadalë do të ndikojë në përmirësimin e strukturës së veturave që qarkullojnë në Kosovë.

Nëse edhe ky kufizim largohet, ose kufizimi prej dhjetë vitesh bëhet pesëmbëdhjetë, Kosovën do ta mbulojnë vetura me mekanizma të vjetruar filtrimi dhe me ndotje masive.

Për më tepër, Kosova është në fazën e hartimit të Strategjia për Ndryshimet Klimatike 2019- 2028. Kjo nismë ligjore është në kundërshtim të plotë me prioritetet që liston kjo strategji dhe mbi përpjekjet kombëtare për të reduktuar emisionet e rrezikshme.

Dëmi mjedisor dhe rrezikimi i qytetarëve të Kosovës nga vetura të vjetra nuk mund të arsyetohet me përballueshmërinë e çmimeve.

Nëse Qeveria dhe sponzoruesit e ligjit kujdesen për interesin komercial të qytetarëve duhet t’i heqin taksat e tjera që ndërlidhen me importin e veturave.

Vetëm duke hequr akcizën dhe doganën në vetura që përmbushin standardet Euro 5 apo Euro 6 çmimi do të binte dukshëm.

"Në të njëjtën kohë, në linjë me legjislacionin evropian, duhen inkurajuar veturat elektrike dhe hibride edhe kjo përmes heqjes së akcizës, doganës e pse jo edhe TVSH-së. Përfitimi në siguri të trafikut, në shëndet dhe mjedis do të ishte i shumëfishtë. Dhe, më shumë familje do t’i përballonin vetura të reja."

Përfundimisht, INDEP i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër miratimit në lexim të dytë të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Vota kundër këtij projektligji regresiv e të rrezikshëm do t’i hapte rrugë një procesi të mirëfilltë të monitorimit të zbatimit të ligjit në fuqi, që do t’i shërbente përmirësimit të përgjithshëm të tij në interes publik, e jo ndryshimit të pjesshëm të tij për interesa të ngushta.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)