Inaugurohen rrugë të reja në Komunën e Gjakovës

Gjakovë, 11 gusht - Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, sot me bashkëpunëtorë ka bërë përurimin e tri projekteve të realizuara nga Komuna e Gjakovës.
Pas dëmtimit shumë të madh të Urës së Tabhaneve, është bërë renovimi i saj dhe zgjerimi i urës e cila tashmë mundëson lëvizjen e lirshme të këmbësorëve dhe të automjeteve.
Në realizimin e projekteve për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, sot në lagjen Blloku i Ri është bërë inaugurimi i rrugës Naim Lata, e cila në gjatësinë prej 250 metrave është shtruar me kubëza.
Ndërsa, në rrugën e Çabratit, konkretisht në rrugën Beqir Pozhegu është bërë inaugurimi i tri akseve të shtrimit të rrugës me kubëza, e cila ka gjatësi të përgjithshme prej 300 metrave.
Me rastin e këtij inaugurimi, Kryetarja Mimoza Kusari Lila është shprehur se me këto investime tani po krijohet një jetë më e mirë dhe më e sigurt për qytetarët, në veçanti Ura e Tabhanëve, ishte shumë e dëmtuar dhe paraqiste rrezik për këmbësorët, po ashtu për nxënësit të cilët ndjekin mësimet në shkollën fillore Kelmend Rizvanolli.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se këto tri projekte arrijnë shumën e investimeve në vlerë prej afro 100 mijë euro.
Në këto inaugurime kanë marrë pjesë edhe qytetarë, banorë të lagjeve të cilët janë shprehur falënderues ndaj Komunës së Gjakovës, posaçërisht ndaj kryetares Mimoza Kusari Lila, për dedikimin e mjeteve në rregullimin e infrastrukturës që më parë ishin lënë në harresë.