Hrvatski Telekom dhe Telekom Austria në garë për PTK-në
Prishtinë, 3 qershor - Komisioni Qeveritar për Privatizimin (KQP) e Ndërmarrjes Publike Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh.A., në përputhje me vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kryer procesin e para-kualifikimit të ndërmarrjeve të interesuara për privatizimin e PTK-së.
Procesi ka qenë i hapur dhe konkurrent, ndërsa kompanitë pjesëmarrëse në para-kualifikim kanë qenë:
1. Albtelekom Sh.A., Shqipëri
2. Hrvatski Telekom d.d., Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani
3. Orascom Telecom Holding S.A.E., Egjipt
4. SabaFon, Jemen
5. Telekom Austria AG, Austri
Pas analizës së aplikacioneve të kompanive pjesëmarrëse në para-kualifikim, KQP, njofton se për pjesëmarrje në tenderin për blerje të 75% të aksioneve të PTK Sh.A, kualifikohen kompanitë e mëposhtme:
Hrvatski Telekom d.d., Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani
Telekom Austria AG, Austri
Procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në KQP.
Për para-kualifikim të kompanive janë vënë një varg kushtesh, të cilat kanë qenë identike për të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë aplikantët kanë pasur qasje plotësisht të barabartë në çdo informacion të dhënë nga autoritetit kontraktues.
Komisioni Qeveritar për Privatizim, e vlerëson shumë të suksesshme këtë fazë të para-kualifikimit për shitjen e aksioneve të PTK-së.
Kompanitë e kualifikuara bashkë me kompanitë e tyre amë, kanë mbi 170 milion abonentë në mbarë botën, janë të shtrira pothuajse në të gjitha pjesët e globit, kanë të kapital të mjaftueshëm (me të hyra vjetore për vitin 2009 prej mbi 67 miliard euro), që do të garantojnë një konkurrencë të mirëfilltë në këtë proces.
Hyrja e një operatori të madh të telefonisë mobile në Kosovë, siç është rasti me kompanitë në fjalë, garanton një zhvillim të hovshëm të këtij tregu dhe është një shembull i suksesshëm i investimit në Kosovë.