Hoxha: Posta e Kosovës, lidere në shërbimet postare
Prishtinë, 13 mars - Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës (PK), Sejdi Hoxha, ka thënë se Posta e Kosovës është lidere në Kosovë në fushën e shërbimeve postare.
Në një intervistë për Epokën e re, ai ka thënë se nuk do ta ndalin angazhimin e tyre për tu mundësuar qytetarëve shërbime edhe më cilësore.
Jam i kënaqur me cilësinë e shërbimeve që aktualisht i ofron Posta e Kosovës. Nuk do ta ndalim angazhimin tonë që qytetarëve të Republikës së Kosovës tu mundësojmë shërbime edhe më cilësore dhe ta zgjerojmë edhe më shumë rrjetin e zyrave postare që të jemi sa më afër qytetarit. Posta e Kosovës është lidere në Kosovë në fushën e shërbimeve postare sepse, pavarësisht pranisë së kompanive me renome botërore, kompanive të tjera private vendore, sipas të dhënave të ARKEP-it, Posta e Kosovës mbulon rreth 80 % të tregut postar në Kosovë, është shprehur Hoxha. Ai ka treguar se Posta e Kosovës do të jetë e gatshme të hapë zyra edhe përbrenda institucioneve të arsimit të lartë.
Hoxha ka thënë se tashmë brenda kampusit të UP-së është një zyrë postare.
Jemi të gatshëm të hapim edhe zyra postare edhe në kampuse të kolegjeve universitare private ose afër tyre. PK-ja e ka vazhdimisht prioritet qytetarin dhe mundësinë e tij financiare në çdo planifikim që bëjmë për lansim të produkteve dhe shërbimeve të reja. Fundi i fundit, jemi kompani publike që i shërbejmë interesit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka thënë Hoxha.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës (PK), Sejdi Hoxha, ka thënë se janë duke punuar që Posta e Kosovës të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare postare siç është Unioni Postar Universal (UPU), pastaj PostEurop dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ne si kompani jemi të përgatitur për anëtarësim, por këtu pengesë është politika, përkatësisht mosanëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB, që është një prej kushteve kryesore për anëtarësim në UPU, ka deklaruar Hoxha.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për zyrat postare të këtij institucioni në pjesën veriore.
Posta e Kosovës ka asetet e veta, siç janë zyrat postare në pjesën veriore të Kosovës, të cilat, fatkeqësisht, ende nuk janë integruar në ndërmarrjen tonë. Janë 10 zyra postare në komunat veriore të Kosovës në të cilat nuk kemi qasje, por duke marrë parasysh bisedimet mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, këtë vit të gjitha këto zyra postare do të përfshihen në strukturën e Postës së Kosovës, është shprehur Hoxha.
Plani i Biznesit 2014-2016
Epoka e re: Z. Hoxha, cili është plani i biznesit të Postës së Kosovës për këtë vit dhe vitet në vijim?
Hoxha: Në përputhje me Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike, Posta e Kosovës, pas diskutimeve, debateve dhe analizave intensive me të gjitha drejtoritë, ka hartuar Planin e Biznesit 2014-2016. Ky plan është aprovuar nga Bordi i Drejtorëve dhe ne jemi duke e zbatuar atë me përpikëri, që nga fillimi i këtij viti. Në muajin janar të këtij viti të hyrat sipas Planit të Biznesit janë realizuar për 96 për qind, ndërsa gjatë vitit 2013 kemi pasur rritje të të hyrave në krahasim me vitin 2012. Përveç shërbimeve ekzistuese, me Planin e ri të Biznesit parashihet zgjerimi i shërbimeve postare dhe komerciale siç janë: Shërbimi Financiar Jo-bankar, i cili tashmë është duke u zbatuar në 11 zyra postare, në qytetet kryesore të Kosovës. Është një prej projekteve më të rëndësishme për të cilin më duhet ta pranoj se kemi punuar jashtëzakonisht shumë. Shërbimi tjetër që kemi planifikuar të zgjerohet është Shërbimi i Faturimit për Ndërmarrje Publike - është ofrimi i shërbimeve të shpërndarjes së faturave për distributorin e energjisë elektrike, ujësjellësin etj. Shërbime të Faturimit nga Institucionet Publike - është ofrimi i shërbimeve të shpërndarjes së faturave për institucione publike siç janë komunat (p.sh. tatimi në pronë). Shërbime të Shitjeve së Lotarisë - është ofrimi i shitjes së tiketave të lotarisë së Kosovës në pikat shitëse të PK-së. Shërbime të Postës Hibride - është shërbim novativ për përgatitjen, printimin dhe shpërndarjen e materialeve elektronike qofshin ato shkresa apo materiale promovuese për individë, biznese, organizata dhe institucione sipas kërkesës së tyre. Gjithashtu, jemi duke punuar që Posta e Kosovës të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare postare siç është Unioni Postar Universal (UPU), pastaj PostEurop e të tjera. Ne si kompani jemi të përgatitur për anëtarësim, por këtu pengesë është politika, përkatësisht mosanëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB, që është një prej kushteve kryesore për anëtarësim në UPU.
Mungesa e anëtarësimit na shkakton pengesa të ndryshme siç është, për shembull, pamundësia e ofrimit të shërbimit, gjurmimi dhe përcjellja e dërgesës nga ana e konsumatorit nëpërmjet internetit, shërbim që njihet me emrin track & trace. Edhe kjo sfidë do të eliminohet së shpejti dhe do të kemi mundësi të funksionojmë në kushte normale si kompanitë postare të vendeve fqinje të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm parashihen investime të ndryshme kapitale, por edhe në trajnimin e vazhdueshëm të stafit që të jemi në hap me zhvillimet dhe avancimin teknologjik të shërbimeve postare të vendeve të BE-së. Jam i kënaqur me cilësinë e shërbimeve që aktualisht i ofron Posta e Kosovës. Nuk do ta ndalim angazhimin tonë që qytetarëve të Republikës së Kosovës tu mundësojmë shërbime edhe më cilësore dhe ta zgjerojmë edhe më shumë rrjetin e zyrave postare që të jemi sa më afër qytetarit. Posta e Kosovës është lider në Kosovë në fushën e shërbimeve postare sepse, pavarësisht pranisë së kompanive me renome botërore, kompanive të tjera private vendore, sipas të dhënave të ARKEP-it, Posta e Kosovës mbulon rreth 80 % të tregut postar në Kosovë.
Ofrimi i shërbimeve financiare jobankare
Epoka e re: Sa ka arritur ta rrisë biznesin licencimi i Postës së Kosovës nga Banka Qendrore për të ofruar shërbime financiare jobankare?
Hoxha: Licencimi i Postës nga BQK-ja për ofrim të shërbimit financiar jobankar është një lajm i mirë jo vetëm për ne që kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe për të fituar këtë licencë, por është një lajm shumë i mirë edhe për qytetarët e Kosovës. Është hera e parë që Posta ofron një shërbim të tillë. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të kryejnë një numër të konsiderueshëm shërbimesh në zyrat tona postare, për shembull, pagesa mujore të ujit të pijshëm; pagesat mujore për energji elektrike, pagesat e faturave për mbeturina, gjoba të policisë rrugore, mandej studentët e universitetit publik dhe kolegjeve private mund ti paguajnë semestrin, provimet, pastaj pagesa për konvikt, mensë etj. Në zyrat tona do të ketë mundësi të paguhen edhe detyrimet tatimore të biznesit të vogël, pagesa të taksave dhe tatimeve të ndryshme. Çdo lloj pagese që mund të bëhet në banka dhe institucione të tjera të shërbimeve financiare do të ofrohet edhe në zyrat tona. Shërbimi financiar ka filluar së zbatuari në 11 zyra postare në qytetet më të mëdha të Kosovës, ndërkaq së shpejti do të ofrohet edhe në 24 zyra të tjera postare dhe në këtë mënyrë do ti mbulojmë të gjitha komunat. Por ky projekt nuk përfundon me kaq. Ne aktualisht kemi 155 zyra postare anekënd Kosovës, por numri i tyre do të rritet vazhdimisht. Edhe pse aktualisht jemi në fazën testuese të projektit, qytetarët kanë mundur tashmë të vërejnë se në zyrat kryesore postare në Prishtinë dhe qytete të tjera të mëdha është e vendosur tabela Shërbimet e Pagesave dhe aty mund të kryejnë pagesa të ndryshme. Me gjithë respektin për institucionet financiare në Kosovë, këtu e kam fjalën në radhë të parë për bankat, më duhet të theksoj një fakt, se PK-ja ka së paku tri përparësi në krahasim me to, kur është në pyetje shërbimi financiar të cilin e ofrojmë ne. Përparësia e parë është se Posta e Kosovës ka një rrjet të madh të zyrave postare në gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe fshatra, ku nuk e ka asnjë bankë apo institucion tjetër financiar. Përparësia e dytë është orari i punës. Në zyrat tona puna nuk përfundon në orën 16:00 ose 17:00, por në orën 21:00. Kjo është një gjë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës, sepse nuk do të kenë më nevojë që gjatë orarit të tyre të punës të detyrohen të shkojnë në banka. Përparësia tjetër është se pagesa për shërbimin tonë financiar është më e ulët se në banka, veçanërisht për disa kategori të caktuara të qytetarëve siç janë studentët. Ne tashmë e kemi brenda kampusit të UP-së një zyrë postare. Jemi të gatshëm të hapim edhe zyra postare edhe në kampuse të kolegjeve universitare private ose afër tyre. PK-ja e ka vazhdimisht prioritet qytetarin dhe mundësinë e tij financiare në çdo planifikim që bëjmë për lansim të produkteve dhe shërbimeve të reja. Fundi i fundit, ne jemi kompani publike që i shërbejmë interesit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Trajnimet dhe bashkëpunimet e Postës së Kosovës
Epoka e re: Posta e Kosovës ka filluar edhe trajnimet dhe praktikat e nxënësve në Postë. Sa do të jeni të gatshëm që dyert e këtij institucioni vazhdimisht të jenë të hapura për trajnime të ndryshme dhe praktika?
Hoxha: Posta e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me shumë institucione të Republikës së Kosovës sa i përket aftësimit të nxënëseve dhe studentëve për njohuri praktike në të gjitha proceset e shërbimit postar. Ne i kemi mbajtur gjithnjë dyert e hapura për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët që ta kryejnë praktikën në Postën e Kosovës. Për shembull, Qendra Transite Postare ka një bashkëpunim për vite të tëra me Shkollën e Mesme 28 Nëntori në Prishtinë. Nxënësit e drejtimit postar të kësaj shkolle, të ndarë në grupe, vijojnë mësimin praktik në Qendrën Transite të Postës dhe përfitojnë shumë nga ekspertët tanë. Ata marrin pjesë ne të gjitha fazat e përpunimit të dërgesave postare si në komunikacionin postar vendor, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Do të thotë, mësimin teorik e kanë në shkollë, ndërsa atë praktik në Postën e Kosovës. Një bashkëpunim të ngjashëm e kemi edhe me kolegjin universitar Tempulli. Në aftësim praktik në struktura të ndryshme të Postës kanë marrë pjesë edhe studentë të drejtimeve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës.
Epoka e re: Çfarë bashkëpunimi ka Posta e Kosovës me posta të ndryshme nga vende të jashtme?
Hoxha: Pavarësisht se nuk jemi anëtare të organizatave ndërkombëtare postare, Posta e Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë me administratat postare sa i përket trafikut postar ndërkombëtar. Përveç kësaj, me disa administrata postare të vendeve të ndryshme bashkëpunimin e kemi ngritur në nivel më të lartë, duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi si, për shembull, me Postën Sllovene, Postën Turke, Postën e Maqedonisë, ndërkaq një bashkëpunim të gjithanshëm e kemi me Postën Shqiptare. Para disa javësh na ka vizituar drejtori i ri i përgjithshëm i Postës Shqiptare, me të cilin jemi dakorduar të themelojmë disa grupe ekspertësh, të cilët do ti identifikojnë fushat për shkëmbim të përvojave dhe ndihmë të ndërsjellë. Përveçse kam pritur në Prishtinë drejtorët e administratave homologe postare të këtyre shteteve, me bashkëpunëtorë kemi qenë për vizitë në Postën Sllovene, Turke etj. Qëllimi kryesor i marrëveshjeve është shkëmbimi i përvojave. Të gjitha këto administrata postare kanë shprehur gatishmëri tia ofrojnë Postës së Kosovës përvojën e tyre dhe ekspertizë në të gjitha fushat për të cilat jemi të interesuar. Marrëveshje të tilla do të ketë së shpejti edhe me administrata postare të vendeve të tjera të BE-së. Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, dua tju njoftoj se javën e ardhshme do të marr pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Londër, ku marrin pjesë përfaqësues të rreth 200 administratave postare dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare që merren me shërbime postare. Unë në këtë konferencë do ta bëj një prezantim lidhur me sfidat aktuale në shërbimin postar global. Gjatë kësaj vizite në Londër kam një takim zyrtar me drejtoreshën e përgjithshme të Postës Mbretërore të Britanisë së Madhe. Gjithashtu, do të takohem me drejtorë të postave të shteteve të tjera. Këtë vizitë do ta shfrytëzoj maksimalisht edhe për lobim që Posta e Kosovës sa më shpejt të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë postarë.
Shpërndarja e pensioneve
Epoka e re: A ka plane Posta e Kosovës për shpërndarjen e pensioneve siç ndodh në postat në rajon, p.sh., në Shqipëri?
Hoxha: Është e vërtetë se ndërmarrjet publike postare të shteteve në rajon dhe në vende të tjera bëjnë shpërndarjen e pensioneve, e kjo është dëshmuar si një praktikë e mirë dhe efikase. Posta e Kosovës është plotësisht e gatshme dhe disponon të gjitha kapacitetet e nevojshme ta marrë përsipër shpërndarjen e të gjitha llojeve të pensioneve për qytetarët e Kosovës. Do të ishte shumë e mirëseardhur për pensionistët tanë të mos presin në sportele, por pensionin ta marrin në shtëpi. Jemi në kontakt me institucionet përkatëse dhe besojmë që këtë shërbim në një të ardhme të afërt ta kryejë Posta siç është rasti me shtetet fqinje dhe më gjerë.
Epoka e re: Sa e shfrytëzojnë qytetarët e Kosovës dhe institucionet shërbimin Posta e Shpejtë?
Hoxha: Posta e Shpejtë, e cila njihet më shumë me akronimin EMS - Express Mail Service, ofrohet në Postën e Kosovës. Këtë shërbim qytetarët e Kosovës janë mësuar ndoshta ta shfrytëzojnë tek konkurrentët tanë me brend ndërkombëtar, por ju sigurojmë se Posta e Kosovës shërbimin e shpejtë ndërkombëtar EMS dhe vendor e kryen me suksese, me çgjë konsumatorët tanë janë të kënaqur. Qytetarët e Kosovës e shfrytëzojnë këtë shërbim për dërgim të dokumenteve, mallrave dhe gjësendeve të tjera. Secili konsumator që e ka përdorur shërbimin EMS të Postës së Kosovës nuk ka shkuar më të kompanitë private postare që operojnë në Prishtinë, sepse është shërbim i njëjtë, është shërbim vendor, i sigurt dhe kushton më lirë. Sa iu përket institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që ato ta shfrytëzojnë shërbimin tonë EMS sa herë që kanë nevojë për postën e shpejtë. Nuk ka kuptim të anashkalohet shërbimi i njëjtë që e ofron ndërmarrja publike - Posta e Kosovës. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet e Kosovës që kanë nevojë për një shërbim të tillë, por është çështje e tyre se a do ta zgjedhin Postën e Kosovës apo operatorë ndërkombëtarë. Ne i ftojmë të vijnë te ne sepse do të ndahen shumë të kënaqur.
Asetet e Postës së Kosovës në veri
Epoka e re: Sa janë asetet e postës në veri të Kosovës dhe në enklavat serbe?
Hoxha: Posta e Kosovës ka asetet e veta siç janë zyrat postare në pjesën veriore të Kosovës të cilat që, fatkeqësisht, ende nuk janë integruar në ndërmarrjen tonë. Janë 10 zyra postare në komunat veriore të Kosovës në të cilat ne nuk kemi qasje, por duke marrë parasysh bisedimet mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, këtë vit të gjitha këto zyra postare do të përfshihen në strukturën e Postës së Kosovës. Në bisedimet në Bruksel lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, por edhe lidhur me normalizimin e komunikimit postar mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, kam marr pjesë edhe unë. Janë mbajtur disa takime deri më tash dhe pres që shumë shpejt kjo çështje të zgjidhet. Posta e Kosovës ofron shërbime për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe vendbanimit, dhe është e gatshme ta bëjë këtë edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në veri. Në këtë drejtim e kemi mbështetjen edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sikurse proceset e ndryshme pozitive që kanë ndodhur në komunat veriore të Kosovës, ashtu edhe në fushën postare do të vendoset normaliteti edhe sa i përket kthimit të aseteve të Postës dhe vendosjes së komunikimit postar ndërkombëtar me Serbinë, si me secilin shtet fqinj.
Epoka e re: Duhet të detyrohen institucionet e Kosovës ti dërgojnë të gjitha letrat me postë?
Hoxha: Posta e Kosovës është operatori i vetëm postar që i garantohet me ligj ta bëjë shpërndarjen e dërgesave postare me peshë deri në 500 gramë si zonë e rezervuar për Postën e Kosovës, mirëpo kompani të ndryshme publike dhe private faturat për qytetarët e Kosovës vazhdojnë ti dërgojnë të hapura, pra të pazarfuara, duke i lënë ato tek dera e shtëpive dhe banesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo paraqet edhe shkelje të privatësisë së qytetarëve sepse nuk është e ligjshme që fatura tu dërgohet qytetarëve pa u futur në zarf. Në rajon dhe kudo në Evropë faturat e çfarëdo shërbimi shpërndahen tek qytetarët nëpërmjet operatoreve postarë të licencuar nga autoriteti rregullativ. Ne kemi biseduar me disa nga këto kompani, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje që ky shërbim ti besohet Postës së Kosovës. Me këtë çështje para disa muajve është marrë edhe Komisioni Ministror për Ndërmarrje Publike (KMNP) i Qeverisë së Kosovës. Komisioni Ministror ka njoftuar publikisht se do tu rekomandojë të gjitha institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike ti përdorin shërbimet postare tek Posta e Kosovës pasi është e vetmja e licencuar për shërbimet postare të rezervuara me peshë nën 500 gramë, sipas vendimit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP). Ne vazhdojmë të besojmë se Ligji mbi Shërbimet Postare të zbatohet në tërësi dhe në këtë mënyrë të përfitojnë edhe qytetarët e Kosovës.