Hoxha fton qytetarët të paguajnë në postë
Prishtinë, 6 prill - Posta e Kosovës në vitin e kaluar ka filluar për herë të parë ofrimin e shërbimeve të IFJB-së, që nënkupton ofrimin e kryerjes së të gjitha pagesave në zyrat postare në Kosovë.
Kreyshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka deklaruar se për një kohë të shkurtër të ofrimit të këtyre shërbimeve shumë qytetarë kanë filluar që të gjitha pagesat e tyre ti bëjnë në zyrat postare. Posta e Kosovës ofron çmime më të lira se çdo operator tjetër në vend. Ka mbulueshmërinë më të madhe në vend me 157 zyra postare, të cilat funksionojnë edhe në vendet më të thella rurale të vendit tonë, ka thënë ai.
Hoxha ka shtuar se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2015 në zyrat postare në Kosovë janë kryer 156 996 pagesa nga qytetarët tanë dhe ky numër i pagesave, i cili është çdoherë në rritje, flet më së miri për punën dhe përkushtimin tonë. Shumica nga këto pagesa janë: pagesat e realizuara nga KEDS-i, pagesat nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina KURP, kompanitë e sigurimeve, Dogana e Kosovës, universitetet etj, ka deklaruar Hoxha.
Ai i ka falënderuar të gjithë punonjësit e Postës, në veçanti punonjësit e sporteleve, të cilët me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre çdo ditë e më tepër po e rrisin numrin e konsumatorëve në zyra postare për ta kryer këtë shërbim dhe shumë shërbime të tjera.
Avantazhi kryesor i juaji është se shumë nga zyrat postare janë të hapura deri në orën 21:00, gjithashtu edhe në ditët e vikendeve dhe festave siç jemi tani. Me kryerjen e këtyre shërbimeve në zyrat postare ndihmohet Posta e Kosovës, punonjësit e saj dhe shteti në përgjithësi, ka theksuar ai.