Hetimet e Telekomit slloven shtrihen në Kosovë e Maqedoni
Lubjanë, 10 prill - Policia sllovene nisi një hetim të gjerë në dëmet e shkaktuara në Telekom Slovenije nga administrimi i kompanisë nga 2006 deri më 2010 dhe ekspertët thanë se veprimi i policisë plotëson përpjekjet e vendit dhe rajonale për t\'u përballur me korrupsionin e sofistikuar.
\"Policia arrestoi shtatë individë për shpërdorim të detyrës dhe krime ekonomike [të kryera] në rastin e telekomit. Ata janë të dyshuar për shkaktimin e 25 milionë eurove humbje. Pas analizimit të të dhënave të konfiskuara, do të paraqesim padi penale kundër tyre në prokurorinë shtetërore të Sllovenisë,\" tha për SETimes Drago Menegalija, zyrtar i marrëdhënieve me shtypin në policinë sllovene.
Po të gjenden fajtorë, të dyshuarit ndeshem me tetë vjet burg.
Ministri slloven i Ekonomisë Matej Lahovnik lëshoi një deklaratë duke thënë se investimet e Telekom Slovenije në operatorët e telefonisë së lëvizshme Ipko të Kosovës dhe Cosmofon të Maqedonisë do të shqyrtohen për shkak të parregullsive të dyshuara, në qoftë se këtë nuk do t\'a bëjë bordi mbikëqyrës i kompanive.
Qeveria sllovene është aksioneri më i madh në Telekom Slovenije, duke zotëruar 52 përqind të operatorit, 75 për qind të Ipko dhe zotëron krejt Cosmofon. Telecom Slovenije investoi 19.5 milionë euro në Ipko-Net origjinale më 2006 ndërsa investoi 190 milionë euro për të blerë Cosmofon më 2009, investimi më i madh slloven jashtë vendit atë vit.
\"Mediat njoftuan se operatorët në Kosovë e Maqedoni janë gjithashtu të përfshirë, por duhet të jemi të ndershëm e të themi se kompanitë e BE-së ... e konsiderojnë Ballkanin një zonë korruptive e veprojnë në këtë mënyrë kur hyjnë në biznes,\" tha Davor Xhenero, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb
Mediat sllovene njoftuan se ish-kreu i Telekom Slovenije, Bojan Dermeli dhe të tjerë të arrestuar, janë të dyshuar për marrjen e 10 milionë në rryshfete në Kosovë për të marë një liçencë si një operator i lëvizshëm.
\"Një shumë e tillë parash e dyshuar për ryshfete e bën këtë një rast korrupsioni të nivelit të lartë që përfshin zyrtarë të lartë të shtetit,\" tha për SETimes Merita Mustafa, administratore programi në Institutin Demokratike të Kodovës/Transparency International.
\"Arrestimet në Slloveni duhet të shërbejnë si një pikë nisje për shtetin tonë dhe institucionet e tij për të ndjekur këtë rast më tej dhe për të ndëshkuar ata që kanë qenë përfshirë në një aferë të tillë të madhe korrupsioni,\" shtoi Mustafa.
Sllovenia ka bërë më shumë për të çrrënjosur korrupsionin krahasuar me vende të tjera të Ballkanit, ndonëse humbi 10 miliardë euro ndaj korrupsionit në 20 vitet e fundit, sipas Goran Klemençiç, president i Komisionit Slloven Kundër Korrupsionit.
\"Por është sigurisht e rëndësishme për vendet rajonale të bashkëpunojnë për ta pakësuar atë më tej. Nuk kemi vendosur transparencë e mekanizmat e ligjit që është e vetmja mënyrë për të luftuar efektivisht korrupsionin në shtetet e vegjël dhe ekonomitë e mbyllura si Sllovenia,\" tha Klemençiçi.
Alban Kastrati, drejtor i marrëdhënieve publike të IPKO Telecommunications, mohoi se kompania është nën hetim, përkundrejt pretendimeve nga mediat e Kosovës.
\"[Mbetemi të përqendruar] në rritjen e biznesit, kujdesin për konsumatorët, shërbimet e reja dhe krijimin e vlerave për mjedisin në të cilin funksionojmë,\" tha Kastrati për SETimes. Ai shpjegoi se njoftimi zyrtar i Telekom Slovenije pohoi se hetuesit sllovenë janë të interesuar në veprimtaritë ligjore që datojnë nga 2006.
\"Këto nuk janë të lidhura me punën e menaxhmentit aktual në Slloveni apo Kosovë,\" tha ai.
\"Lidhur me këto raste, ne kurdoherë kontaktojmë me autoritetet në vendet specifike për të shkëmbyer informacion për të sjellë hetimin në një nivel \'të arrirë\'. Unë nuk mund të konfirmoj zyrtarisht në se policia sllovene kërkoi ndihmë nga Kosova dhe Maqedonia...sepse hetimi nuk është kompletuar ende,\" tha Menegalija.
Çfarë duhet të bëjë qeveria sllovene për të ndalur korrupsionin në marrëdhëniet me pjesën tjetër të Ballkanit? Do të donim të dëgjonim idetë tuaja në pjesën e komenteve.