Hekurudhat e Kosovës po i joshin udhëtarët dhe biznesin
Prishtinë, 13 dhjetor - Numri i njerëzve të cilët udhëtojnë me trena është shtuar, duke pasur parasysh që Hekurudhat e Kosovës dita-ditës po pasurohen me lokomotiva dhe vagonë.
Hekurudhat e Kosovës (HK) gjenden në situatë të mirë të transportit të sigurt dhe komod. Ky vit, krahasuar me të kaluarin, ka pasur rritje në 1.5 për qind në transport të udhëtarëve, ndërsa në transport të mallrave kemi pasur rritje deri në 31 për qind, ka bërë me dije zëdhënësi i HK-së, Refet Çitaku.
Sipas tij, trenin e shfrytëzojnë në përgjithësi qytetarët e Kosovës. Trenin më së shumti e shfrytëzojnë punëtorët, të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare, studentët, nxënësit, si dhe të gjitha kategoritë e liruara nga udhëtimi me të, ka deklaruar ai.
Çitaku është shprehur se një pjesë e udhëtarëve, të cilët e shfrytëzojnë këtë mjet për të udhëtuar, janë edhe ndërkombëtarët të cilët gjatë vikendeve udhëtojnë për në Shkup.
Qeveria e Kosovës pati ndarë mbi dy milionë euro për riparimin e një lokomotive. Po ashtu brenda dy apo tre vjetëve është paraparë të modernizohen Hekurudhat e Kosovës, duke bërë që edhe të elektrifikohet i tërë sistemi.