22 Dhjetor 2024

Hekurudha Shqipëri-Kosovë, projekti askund

Tiranë, 3 maj - Prej tre muajsh, Kryeministri Sali Berisha ka përmendur disa herë projektin hekurudhor Shqipëri-Kosovë, madje me një tonacion që të bind se gjithçka është gati, ose të paktën diçka është vënë në lëvizje. Gazeta “Shqip” është përpjekur të mësojë diçka rreth projektit madhor, pas atij të Durrës-Kukës, dhe për dy javë tentativash arriti të marrë përgjigje, natyrisht anonime.

Një nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike, ka pranuar faktin se deklaratat e Kryeministrit për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri-Kosovë ka qenë një surprizë për institucionin që menaxhon sektorin. “Për momentin nuk ka asgjë. As projekt, studim ose ndonjë interesim nga ndonjë kompani private”, tha zyrtari i ministrisë, i cili pranoi se Kryeministri i ka vënë para një detyre të vështirë.

“Si fillim na duhet të bëjmë një studim fizibiliteti, për të kuptuar nëse projekti ia vlen apo jo. Më pas do shohim”, vijoi ai, që nuk pranoi të jepte identitetin. Nuk është hera e parë që ministrat i marrin detyrat ose vihen para përgjegjësisë përmes deklaratave të Kryeministrit në televizor apo në konferenca shtypi. Me të tilla situata, Ministria e Financave është mësuar, sidomos kur bëhet fjalë për rritje pagash, pensioni, sado të jetë niveli i tyre, paratë për rrugët, si dhe sado të ulen taksat etj.
Deklaratat

Kur Kryeministri Berisha prezantonte në Parlament buxhetin e shtetit 2010, në listën e gjatë të projekteve nisi të përmendte tunelet e rrugës së Arbrit, Tiranë-Elbasan, apo dhe rrugën Berat-Tepelenë. Pas Kryeministrit, qëndronte ministri Olldashi, që dëgjonte me kujdes projektet, të cilat nuk ishin përfshirë në planin e buxhetit. Këto janë disa nga ato raste tipike kur Berisha preferon të bëjë premtime, pa marrë në konsideratë realitetin.

“Lidhja e Shqipërisë me Kosovën ka rëndësi jetike për zhvillimin e Shqipërisë. Në këtë kontekst do të punojmë për realizimin e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jam i sigurt në realizimin e këtij projekti, siç isha i sigurt për realizimin e ‘Rrugës së Kombit’”, tha Berisha, ditën e dorëzimit të pyetësorit në Bruksel. Kryeministri i ka përmendur disa herë projektin kur ishte në Kosovë gjatë inaugurimit të rrugës Vernicë-Merdare, apo kur takoi në Tiranë kreun e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

Strategjia e munguar

Për nisjen e studimit të fizibilitetit të hekurudhës Shqipëri-Kosovë, ministria jonë e Transportit është gjendur e papërgatitur, pasi jo vetëm që nuk e kishte planifikuar në buxhetin e këtij viti si projekt, por mungon edhe në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Duke parë prioritetet në fushën e transportit hekurudhor, në faqen zyrtare të ministrisë përmend vetëm linjat me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

“Objektivat tona për një perspektivë afatgjatë janë radhitur sipas prioriteteve, që janë: modernizimi i linjës ekzistuese të Korridorit VIII, Durrës-Vlorë-Rrogozhinë-Pogradec me gjatësi të përgjithshme prej 230 km; ndërtimi i linjës së re hekurudhore Lin-kufiri shtetëror-Strugë (Maqedoni). Për këtë linjë ka përfunduar studimi i fizibilitetit. Kjo linjë do të lidhë Maqedoninë jugore me Portin e Durrësit dhe modernizimi i linjës ekzistuese Tiranë-Bajzë-kufiri shtetëror me Malin e Zi, me gjatësi 140 km”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)