Haldun Firat Kokturk përzgjedhet drejtori i ri Aeroportit të Prishtinës
Prishtinë, 6 nëntor - Haldun Firat Kokturk përzgjedhet Drejtor i ri Gjeneral në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari.
Kokturk karrierën e tij e filloi si Inxhinier në fazën e ndërtimit dhe operimit në Zonguldak International Airport.
Kokturk shërbeu si menaxher projekti dhe menaxher i ndërtimit në disa projekte të ndryshme duke përfshirë projekte në sektorin e energjisë, turizmit dhe shumë projekte në aviacion dhe transport ajror.
Kokturk ishte i angazhuar si udhëheqës i Ndërtimit të Terminalit dhe Komisionit të Pranimit në Limak-GMR JV Istanbul Sabiha Gokcen Airport me kapacitet prej 25 milion pasagjerësh.
Për më shumë, Kokturk ka menaxhuar procesin e tranzicionit të terminalit të ri Istanbul Sabiha Gokcen Airport.
Haldun Firat Kokturk ka dëshmuar cilësi dhe përkushtim duke përfunduar projektin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari në cilësinë e Kryeshefit për Zhvillim në kuadër të grupit të Limak Kosovo të ndërmarrjeve dhe është autor i master planit të terminalit të ri të Aeroportit Adem Jashari.
z. Kokturk është Magjistër i Shkencave në Fushën e Ndërtimtarisë dhe ka të përfunduara trajnime të shumta dhe është posedues i një numri të shumtë të certifikatave në fushën e aviacionit civil duke përfshirë sigurinë, menaxhmentin dhe shumë fusha tjera.
Përgjatë viteve z. Kokturk është dëshmuar të jetë i përgatitur profesionalisht në menaxhimin e kontratave, vlerësimin dhe menaxhimin e kostove, planifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e aeroporteve, në fushën e aviacionit civil dhe menaxhimit buxhetor.
Me përzgjedhjen e z. Haldun Firat Kokturk në pozitën e Drejtorit Gjeneral të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, edhe njëherë dëshmojmë përkushtimin tonë për të ofruar cilësi të lartë të shërbimeve për të gjithë udhëtarët.
Ndërkaq Drejtori Gjeneral i mëparshëm Mertol Genc do të vazhdojë të jetë pjesë e Limakut dhe të jap kontributin e tij si anëtar i Bordit të Limakut poashtu do të jetë i angazhuar edhe në projekte tjera investuese në vazhdim e sipër në grupin Limak.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari është gati për të thyer kufinjtë në fushën e transportit ajror, është gati për tu bërë konkurrent me të gjitha aeroportet në rajon dhe më gjerë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari është gati për botën!