Greva e piloteve të Lufthanses nis sot, anulohen mijëra fluturime
Berlin, 1 dhjetor - Grupi i aviacionit civil gjerman Lufthansa nëpërmjet një deklarate njoftoi se greva e pilotëve të hënën dhe të martën në mbarë vendin do të ndikojë në fluturimet e linjave të shkurtra, të mesme dhe të gjata.
Afati i grevës shpallur nga sindikata e pilotëve është nga ora 12.00 e 1 dhjetorit deri në orën 23 e 59 minuta të 2 dhjetorit.
Deri natën e së dielës Lufthansa anuloi mbi 1300 fluturime. Në deklaratën e kompanisë thuhet se po rregullohet orari i fluturimeve dhe u propozohet pasagjerëve të ndjekin informacionet e fundit.
Ata që janë pjesë e fluturimeve të anuluara mund të ndryshojnë falas linjën e fluturimit.
Bisedimet midis sindikatës dhe zyrtarëve të Lufthansa-s janë ndërprerë të shtunën, pasi palët nuk kanë arritur marrëveshje për moshën e pensionit.
Pilotët aktualisht mund të dalin në pension në moshën 55-vjeçare. Lufthansa do që të rrisë moshën e pensionimit në 60 vjeç, por sindikata nuk pranon.
Pilotët kanë qenë në grevë edhe në muajin tetor. Ndërprerjet e vazhdueshme të punës qysh në muajin prill kanë bërë që Lufthansa dhe degët e saj të anulojnë rreth 6,000 fluturime.