Gjakovë, gjatë marsit po ndërtohen 5 rrugë dhe 1 park i ri
Prishtinë 3 mars - Komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria e Shërbimeve Publike është duke punuar që gjatë muajit mars të nisë dhe të vazhdojë një sërë projektesh të infrastrukturës rrugore, projekte të cilat pritet të ndikojnë drejtë për së drejti në lëvizjen e lirë dhe mirëqenien e banorëve të komunës së Gjakovës.
Janë të paktën 6 projekte të kësaj natyre, e për të cilat pritet të shpenzohen rreth 200 mijë euro. Puna konkrete për realizimin e këtyre projekteve pritet të nisë brenda pak ditësh, pasi edhe kushtet atmosferike tashmë janë duke shkuar drejtë përmirësimit.
Rrugët që pritet të asfaltohen gjatë muajit mars në Komunën e Gjakovës janë rruga në fshatin Osek Pashë, vlera e së cilës është 40 mijë euro, rruga Muhadër Pnish Ramamat me vlerë 50 mijë euro, rruga në fshatin Skivjan me vlerë 50 mijë euro si dhe rruga Bec Halilaj Radoniq me vlerë 40 mijë euro.
Gjatë muajit mars është paraparë edhe sanimi me kubëza i rrugës Tefik Çanga si dhe ndërtimi i parkut në rrugën Besim Bishtazhini, projekt për të cilin janë ndarë 12 mijë euro.
Krahas këtyre projekteve, Komuna e Gjakovës do të angazhohet edhe në punët e rregullta, siç janë sanimi dhe mirëmbajtja verore e rrugëve, mirëmbajtja e parqeve si dhe mirëmbajtja e gjelbërimit.