Gjakovarët paguajnë faturat e mbeturinave në Postë
Prishtinë, 5 gusht - Që nga sot, qytetarëve të Komunës së Gjakovës u është ofruar edhe një shërbim i ri nga Posta e Kosovës, pagesa e faturave të mbeturinave në zyra postare, pa kurrfarë provizioni.
Marrëveshja për këtë shërbim është nënshkruar të mërkurën nga kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave \"Çabrati\", Kujtim Qela.
Udhëheqësit e të dyja ndërmarrjeve publike janë shprehur të kënaqur që tash e tutje rreth 17 mijë klientë të kompanisë Çabrati do ta kenë më afër vendbanimit të tyre mundësinë për pagesën e faturave duke marrë parasysh rrjetin e gjerë të zyrave postare në rajonin e Gjakovës.
Qelaj ka deklaruar se sa më e madhe të jetë pagesa e faturave, kompania Çabrati do të ofrojë shërbim edhe më cilësor dhe më efikas.
Qytetarët e rajonit të Gjakovës, ashtu si në pjesët tjera të Kosovës, kanë mundësi që faturat për të gjitha shërbimet publike ti paguajnë në sportelet e Postës së Kosovës.
Falë angazhimit dhe përkushtimit maksimal, në zyrat postare në regjionin e Gjakovës është rritur numri i pagesave. Kjo rritje tregon se qytetarët e Gjakovës janë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve të Postës.
Në Postë mund të paguhet edhe tatimi në pronë, tatimet dhe kontributet për ATK-në, dënimet në trafik, pagesat e studentëve, pagesat e taksave gjyqësore, pagesat për licenca të ndryshme të institucioneve shtetërore, pagesat për dokumente personale, për regjistrim të automjeteve dhe shërbime tjera.