Gjakova në pulla postare
Prishtinë, 23 janar - Filatelia e Postës së Kosovës ka vënë të premten në qarkullim emisionin e pullave postare Qytetet e Kosovës - Gjakova, ku përmes pamjeve të dy pullave postare sjell bukuritë e këtij qyteti të Republikës së Kosovës.
Qyteti i Gjakovës përmban një sërë monumentesh të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të cilat i japin një frymë të veçantë këtij qyteti. Emërtimi i qytetit daton që nga shekulli XV, ndërsa lulëzimi i vërtet i tij fillon në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII. Nga periudha e lulëzimit të qytetit veçohen monumentet vijuese të trashëgimisë kulturore: Xhamia e Hadumit (1554), Mejtepi, Biblioteka, Hamami, Sahat-Kulla, Medreseja e Madhe, Hani i Vjetër, Kompleksi i Teqës së Madhe, etj. Qytetit ia shtojnë hijeshinë edhe urat lidhëse siç janë Ura e Tabakut, Ura e Taliqit e të tjera.
Komuna e Gjakovës ka 586 kilometra katrorë, qyteti me 84 fshatra. Tregu i vjetër apo siç njihet me emrin Çarshia e Madhe ishte zemra e funksionimit ekonomik për Gjakovën.
Në të zhvilloheshin artizanatit dhe tregtia, të cilat u shërbenin edhe fshatrave rreth Komunës së Gjakovës, siç ishte zona e Junikut dhe e Malësisë së Gjakovës, në kufirin Kosovë - Shqipëri. Qyteti dhe rrethina luajtën rol të rëndësishëm gjatë lëvizjes kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.