Gashi dhe Ladhari bisedojnë për më shumë linja ajrore për bashkatdhetarët
Prishtinë, 14 mars - Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi priti në takim Jamel Ladhari Drejtor i Operimeve ADLMS Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari”, me të cilin diskutuan mes tjerash për hapjen e linjave të reja ajrore për bashkatdhetarët tanë që do të minimizonin kostot e biletave për të cilat diaspora kosovare tashmë disa vite ankohen se janë të larta.
Gjatë këtij takimi ministri Gashi ofroi bashkëpunimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës që së bashku me menaxhmentin e Aeroportit, me tour operatorët nga Kosova dhe me agjencitë e tjera relevante të ofrojnë kushte sa më të mira për udhëtimin e bashkatdhetarëve për në Kosovë.
“Së shpejti do të bëhet një memorandum mirëkuptimi i cili do të theksojë qartë përgjegjësitë e të gjitha palëve të përfshira."
"Koncentrimi ynë është që fillimisht të ulen çmimet e biletave duke futur konkurrencë sa më të madhe të avio-kompanive në Kosovë, e më pas edhe të parandalohet vjedhja nga tour operatorë mashtrues të cilët kanë dëmtuar në shumë raste bashkatdhetarët tanë”, theksoi mes tjerash Gashi, duke shtuar se në këtë kontekst do të formohet së shpejti një grup punues ku do të përfshihen Ministritë e linjës si dhe institucionet tjera përgjegjëse.