Gani Thaçi jep dorëheqje nga drejtori i BKS
Prishtinë, 22 mars - Një javë pas përzgjedhjes në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Gani Thaçi ka paraqitur dorëheqje nga kjo pozitë.
Gani Thaçi, i cili është vëlla i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas burimeve të gazetës Zëri dorëheqjen ia ka paraqitur të martën Bordit të Byrosë.
Dorëheqjen e Thaçit e ka konfirmuar për Zërin kryetari i Bordit të BKS-së, Rrahim Pacolli, pa dhënë më shumë detaje rreth arsyes së dorëheqjes.
Kam informacion se Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen nga drejtimi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, mirëpo nuk e di arsyen e vërtetë të dorëheqjes, sepse ende nuk e kam shikuar dokumentacionin, pohon Pacolli.
Pacolli ka shtuar se fillimisht duhet ta shikojë arsyen e dorëheqjes, cilat janë shkaqet që e kanë detyruar drejtorin e ri të dorëhiqet dhe kush mund të jetë zëvendësues i Thaçit në BKS dhe më pas të bisedohet për pranimin, apo jo të dorëheqjes së Gani Thaçit.(Zëri)