Fundoset anija pranë brigjeve të Italisë
Romë, 13 maj - Të paktën 14 persona kanë mbetur të vdekur, pasi një anije me emigrantë është mbytur rreth 100 kilometra larg nga bregu i Jugut të Italisë gjatë ditës së hënë.
Roja Bregdetare e Italisë ka arritur të shpëtojë mbi 200 emigrantë të tjerë, të cilët ndodheshin në anije, kanë bërë të ditura mediat italiane.
Një ditë më parë një tjetër anije me emigrantë është mbytur pranë brigjeve të Tripolit, ku mbi 40 persona mbetën të vdekur.
Lampedusa, ishulli më i afërt i Italisë me Afrikën është kthyer në portën hyrëse të emigrantëve afrikanë për në vendet e Bashkimit Europian.
Kohët e fundit rastet e mbytjeve të anijeve të mbipopulluara të ardhura nga Afrika janë shtuar ndjeshëm edhe pas konflikteve gjithnjë e në rritje në disa prej shteteve afrikane.
Autoritetet italiane kanë arritur të shpëtojnë rreth 2 mijë emigrantë në vetëm 5 ditët e fundit, ka thënë marina italiane gjatë ditës së hënë.
Mbytje e rreth 300 emigrantëve afrikanë gjatë vitit të kaluar pranë Lampedusa-s tronditi Italinë dhe botën, duke bërë që ligjvënësit e BE-së të rishikojnë politikat e tyre të emigracionit.