FSK promovon urën mobile të montuar në Krushevë të vogël
Prishtinë, 16 maj - Përurimi i Urës metalike në fshatin Krushevë të Vogël, solemnisht u bë sot, e ku morën pjesë ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, komandanti i KFT-së, gjeneral major Rrahman Rama, komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) gjeneral brigade Nazmi Brahimaj dhe gjeneral brigade Ilaz Dërguti, komandant i Brigadës Mbështetëse Operacionale (BMO) si dhe oficerë të lartë të FSK-së, si dhe kryetari i komunës së Klinës Sokol Bashota dhe qytetarë të fshatit.
Ura mobile e montuar mbi lumin Drini i Bardhë të fshatit Krushevë të Vogël është e gjatë 33 metra dhe e gjerë 4.5 metra, mbanë peshë deri në 20 tonë dhe është në shërbim të fshatit Krushevë dhe fshatrave përreth.
Prerjen e shiritit në mënyrë simbolike e bënë, ministri i MFSK-së, Agim Çeku, kryetari i komunës së Klinës Sokol Bashota, kryetari i fshatit Llesh Skelaj.
Skuadra e urave të Batalionit të Xhenios të Brigadës Mbështetëse Operacionale të FSK-së, ngritjen e urës e kanë filluar me 22 prill dhe e kanë përfunduar më 16 maj, e kanë kryer 9 ditë para afatit të paraparë. Kjo është ura e dytë e kësaj madhësie që ngritët nga pjesëtarët e FSK-së, pas asaj në Kramovikë të Gjakovës.
Në emër të fshatit ka përshëndetur prof. Dodë Prenaj, i cili tha, se nga kjo urë, do të përfitojnë 85 familje të këtij fshati si dhe banorët e fshatrave përreth.
Ndërsa ministri i FSK-së, Agim Çeku me këtë rast, i ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së, të cilët e kanë bërë një punë të mirë, me ndërtimin e urës e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane.
FSK-ja ka bërë një punë të mirë, këtë e dëshmuan edhe folësit para meje, se sa është kjo urë më rëndësi për ta. Për këtë jemi këtu sot, me bashkëpunëtorët e mi, për përurimin e këtij projekti e që është në vazhdën e projekteve të shumta që po realizon FSK-ja, për tu dalë në ndihmë komuniteteve dhe qytetarëve të Kosovës."
"Të gjitha projektet që i ka realizuar FSK-ja si dhe më parë TMK-ja, janë në shërbim të gjithë qytetarëve të këtij vendi. FSK-ja ka ndërtuar shumë ura të cilat janë simbole që lidhin dy anët e lumit, por edhe që e lidh FSK-në me qytetarët, edhe kjo urë po dëshmon se ushtarët Kosovës janë në shërbim të qytetarëve për tu dalë në ndihmë, për çka do, që kanë nevojë. Kjo urë është gjithashtu dëshmi se FSK-ja është në shërbim të lehtësimit dhe të mbrojtjes të tyre, por edhe për tua lehtësuar dhe përmirësuar kushtet."
"Ky projekt për neve është shumë me rëndësi sepse është në shërbim të qytetarëve dhe kjo po dëshmon aftësitë profesionale të FSK-së. Nuk ka qenë projekt i lehtë, por djemtë dhe vajzat e FSK-së, janë të përgatitur për realizimin e projekteve të tilla. Këtë projekt e kanë kryer para afatit të përcaktuar dhe kjo dëshmon për aftësitë profesionale të FSK-së."
"Në fund ministri Çeku tha premtoi se projekte të tilla do të ketë edhe në të ardhmen , kudo që kanë nevojë qytetarët tanë. Nuk ka detyrë që nuk mund ta kryejmë dhe që është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, shtoi në fund ministri i MFSK-së Agim Çeku.