24 Dhjetor 2024

FSK përuroi urën te Manastiri i Deçanit

Deçan, 24 shtator - Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht Batalioni i Xhenios (BXh) i Brigadës për Mbështetje Operacionale (BMO), ka përfunduar punimet rreth ndërtimit të urës montazh në Deçan, afër manastirit të Deçanit. FSK-ja në këtë projekt është angazhuar me kërkesë të Manastirit të Deçanit.

Batalioni i Xhenios në bashkëpunim me KFOR-in (konigjentin e Suedisë, Italisë, Danimarkës dhe atij të Francës),  kanë qenë të angazhuar në këtë projekt që nga data 2 deri me 20 shtator të këtij viti.

Ministri Agim Çeku dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati përuruan urën e re në Deçan, saktësisht afër manastirit të Deçanit, projekt ky i realizuar në të mirë të komunitetit që jeton në atë lokalitet si edhe në mirë të  gjithë qytetarëve që kanë interes të lëvizin në atë pjesë të vendit.

Në ceremoninë e përurimit të urës në Deçan, pos ministrit të FSK dhe komandantit të FSK-së, morën pjesë edhe zëvendësministrja  Jasmina Vasiq, komandanti i Brigadës për Mbështetje Operacionale, kolonel Ilaz Dërguti, komandanti i Ekipit Këshillues të NATO-s gjeneralbrigade Norbert Vagner, i pari i  Manastirit të Deçanit, Sava Janjiqi, përfaqësuese të Komunës së Deçanit si edhe përfaqësues të tjerë të FSK-së, KFOR-it, KK të Deçanit dhe  të Manastirit të Deçanit.

Me këtë rast ministri i FSK-së Agim Çeku tha se ndjehem jashtëzakonisht i lumtur që realizuam këtë projekt me rëndësi për këtë komunitet, dhe u shpreh i lumtur që FSK-ja po dëshmon profesionalizmin ashtu siç duhet sipas kërkesave teknike me rastin e realizimin të projekteve xheniere. Në fund ministri Çeku falënderoi  komunitetin dhe  KFOR-in, për angazhimin dhe bashkëpunimin e mirëfilltë.

Po ashtu edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i përgëzoi pjesëtarët e Batalionit të Xhenios për realizimin me sukses të projektit të ndërtimit të urës, dhe me këtë angazhim po tregon se po kryen punë të shkëlqyeshme në dobi të gjitha komuniteteve.

Nga ana  e tij i pari i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiqi në emër të kishës ka falënderuar ministrin Çeku dhe FSK-në për punën e shkëlqyeshme dhe për “marrëdhëniet e mira me komunitetin tim” e gjithashtu falënderoj edhe KFOR-in për angazhim rreth realizimit të këtij projekti.

Projekti i ndërtimit të urës është realizuar nga Batalioni i Xhenios së FSK-së, me kërkesë të Komunës së Deçanit dhe të komuniteti të Deçanit, për shkak të vështirësive dhe pamundësisë për qarkullim të lirë mbi Lumbardh, të cilën e ka shkaktuar demtimi i urës së vjetër. Ura e re të cilën e ka ndërtuara FSK-ja është prej materiali të fortë, pra urë metalike me gjatësi prej 38 metrave dhe me gjerësi 1.5 metra. Realizimi i këtij projekti është kryer në afat prej 15 ditëve.

Përpos urës në Deçan, FSK-ja gjatë muajit qershor ka ndërtuar edhe urën montazh në Kramovik, mbi lumin Drini i Bardhë, përkatësisht në aksin që lidh dy komunat atë të Gjakovës me Klinën. Të dyja këto projekte janë realizuar në afat rekord dhe janë vënë në funksion të lehtësimit të qarkullimit për qytetarët e lokaliteteve dhe në përgjithësi për të gjithë qytetarët e vendit. Po ashtu FSK-ja ka qenë e angazhuar edhe në fshatin Plemetin në hapjen e shtratit të lumit, gjithashtu edhe në asistencë mjekësore për komunitetin serb në Dragolevc.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)