FSK inauguroi urën mobile mbi lumin Drin
Ura është e gjatë 55 metra, e gjerë 5 metra e rëndë 75 ton dhe mbanë peshën deri në 30 ton. Skuadra e urave të Batalionit të Xhenios të FSK-së, punët i kanë filluar më 17 qershor dhe në një afat rekord, më 28 qershor, e kanë bërë montimin e urës mobile-metalike.
Ngritjen e urës e kanë ndihmuar edhe KFOR-i Zviceran, Ministria e Infrastrukturës si dhe komunat e Rahovecit dhe Gjakovës.
Përurimi i Urës metalike, mbi lumin Drini i Bardhë, u bë sot solemnisht, në fshatin Kramovik, të komunës së Rahovecit-Gjakovës, e ku morën pjesë ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zv. ministrat Shemsi Veseli dhe Bejtush Gashi, gjeneral Gëzim Hazrolli, zv. komandant i KFT-së, përfaqësues të KFOR-it, të Ministrisë së Infrastrukturës, të pushtetit lokal, si dhe shumë qytetarë.
Prerjen e shiritit në mënyrë simbolike e bënë, ministri dhe komandanti i FSK-së, Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Kadriu Kastrati, si Ramiz Fazliu përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës.
Me këtë rast, ministri i FSK-së, Agim Çeku i ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së, të cilët e kanë bërë një punë të mirë, me ndërtimin e urës e cila ka përfunduar disa ditë para afatit të caktuar.
FSK-ja e bëri edhe një punë të mirë, i ndihmoj autoritetet civile në këtë rast; komunën e Gjakovës, që ti japin zgjidhje problemit që i ka munduar ata, por edhe qytetarët e tyre, në vendosjen e kësaj ure të përkohshme.
Ministri Agim Çeku, ka shtuar se tani i mbetet Ministrisë së Infrastrukturës, që brenda këtij viti ta rregullojë urën e prishur. Ai u shpreh i lumtur që FSK-ja, ka dëshmuar se mund tu dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës dhe kushdo që ka nevojë për ndihmë e FSK-së.
Me këtë urë, FSK-ja, dëshmoi edhe një herë që ka pajisje, ka përvojë, ka ekspertizë, ka njohuri, ka vullnet dhe përkushtim që gjithmonë tu dalë në ndihmë autoriteteve civile dhe qytetarëve të Kosovës dhe kushdo që ka nevojë, ka thënë Çeku.
Kjo urë është donacion nga KFOR-i Austriak, dhe FSK-ja, për herë të parë e ka ngritur, këtu. Ura është e gjatë 55 metra e gjerë 5 metra, peshon mbi 75 ton dhe mbanë ngarkesë 30 ton.
Në ndihë skuadrës së urave të FSK-së, u ka ardhur KFOR-i Zviceran, njësiti i specializuar i urave, me teknikë të rëndë, ndërsa ngritjen e kanë bërë vetë pjesëtarët e FSK-së.
Për ta vërtetuar se ura është e sigurt, së pari kaloi një kamion i FSK-së, pastaj ministri, komandanti si dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.