Franca publikon imazhe satelitore për aeroplanin e zhdukur
Prishtinë, 24 mars - Kërkimi për avionin e zhdukur malajzian nuk solli ende rezultat, pavarësisht nga njoftimi i Francës për mbetje të mundshme të avionit në Oqeanin Indian.
Kërkimet do të rifillojnë serish sot. Franca kishte njoftuar se kishte diktuar imazhe satelitore që tregonin objekte pluskuese në një zonë në jug të Oqeanit Indian ku një aeroplan civil kishte parë mbetje të shtunën, përfshi një shtrat të drunjtë që përdoret për ambalazhimin e dërgesave.
Përmes një deklarate Ministria e Transporteve e Malajzisë tha se imazhet ishin pranë një zone ku satelitët australianë dhe kinezë kishin kapur imazhe të objekteve me përmasa të mëdha gjatë kërkimeve për aeroplanin e zhdukur të pasagjerëve.
Aeroplanët dhe anijet i përqendruan operacionet e kërkimit sot për aeropalnin e pasagjerëve në një zone në jug të Oqeanit Indian ku janë zbuluar mbetje. Një aeroplan ushtarak i Zelandës së Re që kontrolloi zonën në fjalë të shtunën, kishte gjetur vetëm leshterikë.
Kryeministri Australian Tony Abbot tha sot se ka shpresa në rritje, se zbulimet e imazheve mund të çojnë në zbulimin e gjetjes së aeropanit të zhdukur me 239 njerëz në bord.
Është ende herët për të përcaktuar, por sigurisht tani kemi patur disa informacione të besueshme dhe po shtohet shpresa që ne mund të jemi në drejtimin e duhur për të zbuluar se çfarë ndodhi me këtë aeroplan fatkeq.
Imazhet australiane të filmuara javën e shkuar po ashtu tregonin dy objekte të mëdha në ujë. Por ende deri tani këto sende nuk janë gjetur nga kërkimet të cilat edhe mund të mos kenë lidhje me aeroplanin e zhdukur.
Boeingu 777 kishte 239 njerëz në bord kur u zhduk me 8 mars ndërkohë që udhëtonte nga Kuala Lumpur për në Pekin. Autoritetet kanë thënë se nuk po përjashtojnë asnjë mundësi lidhur me atë që mund të ketë ndodhur me avionin.