FOL kërkon ndërprerjen e procedurave për tenderin e autoudhës për Gjilan
Prishtinë, 6 shkurt - Lëvizja FOL, bazuar në shkrimin e të përditshmes Koha Ditore, të datës 5 shkurt 2020, me titull “Shkelje në tenderin 110-milionësh – MI-ja vazhdon procedurat tenderuese”, kërkon nga Ministria e Infrastrukturës që të ndalojnë procedurat tenderuese për ndërtimin e kësaj autoudhe.
Ndalimi i këtyre procedurave tenderuese bëhet i domosdoshëm kur kemi parasysh se këto procedura kanë filluar nga një qeveri në dorëheqje dhe gjithashtu pa u miratuar buxheti i vitit 2020, e aq më shumë edhe pse i njëjti projekt nuk ka qenë i paraparë as me buxhetin e vitit 2019.
Gjithashtu, ky projekt nuk ka qenë i paraparë as me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2020, dhe si tillë nuk do duhej të procedohet më tutje, pasi që edhe në vetë vlerësimet e buxhetit për vitin 2020 shuma e mjeteve financiare për ndërtimin e autostradave nuk është paraparë të tejkalojë 21.1 milionë euro.
Lëvizja FOL kërkon nga ministri i Infrastrukturës z. Abdixhiku, që të ndalojë procedurat tenderuese të këtij projekt, pasi që në të njëjtin projekt, në pjesën e tij të parë, ka pasur shkelje ligjore të cilat janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Projekti në fjalë, në pjesën e tij të parë, është përcjellë me shkelje ligjore dhe me mungesë të dokumentacionit. Mungesa e Planit të Menaxhimit të Kontratës, përmes së cilit plan bëhet edhe monitorimi i punimeve në terren, ka qenë një ndër shkeljet tjera ligjore.
Shkeljeve ligjore në këtë rast i shtohet edhe nënshkrimi i katër aneks kontratave nga ana e qeverisë Haradinaj në dorëheqje, pa pasur Plan të Menaxhimit të Kontratave, dhe përmes së cilave aneks kontrata kompanitë do duhet të kryejnë punë dhe shërbime shtesë në këtë autoudhë.
Këto aneks kontrata, si të tilla, e rrisin për 4.4 milion euro apo në një total prej rreth 93 milion euro koston e përgjithshme financiare të ndërtimit të kësaj autoudhe në pjesën e saj të parë prej 22 kilometrash.