FMN kërkon uljen e kostos se autostradës Prishtinë - Shkup
Prishtinë, 10 maj - Qeveria e Kosovës ka dështuar tia mbushë mendjen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Autostradën Prishtinë-Shkup, e njohur si rruga 6.
Në letrën e 5 dhjetorit të vitit 2012, kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi i kishte shkruar këtij institucioni financiar se projekti do të realizohej si tërësi dhe do të bëhen modifikime të nevojshme për ta reduktuar koston e autostradës së re.
Në kuadër të këtyre modifikimeve ishte diskutuar edhe zëvendësimi i tuneleve të parapara me rrugë alternative, shkruan Tribuna.
Për këtë çështje ishte paraparë të bëhen studime shtesë, me të cilat nuk është shprehur e kënaqur aspak FMN-ja.
Ky institucion, vlerëson se projekti ende ka kosto të lartë të realizimit dhe studimet e bëra kanë dështuar të paraqesin alternativën më të mirë të mundshme.
Sipas raportit të FMN-së, dizajni i tanishëm i trasesë vazhdon të përfshijë tunele, dhe elemente tjera të kërkuara që të rishikohen.