Fluturimet në Aeroportin e Prishtinës serish me probleme dhe vonesa
Prishtinë, 31 korrik - Udhetimet me aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës 'Adem Jashari' gjatë këtij muaji kanë filluar me probleme dhe vonesa.
Autoriteti i Aviacionit Civili (AAC) ka njoftuar se sot në mëngjes, fluturimi X38960 i kompanisë ajrore TUI Fly në arritje nga Aeroporti Basel - Mulhouse, pas aterrimit ka vërejtur që ka probleme teknike si pasojë e goditjes me shpezë, e cila ka ndodhur gjatë fluturimit.
Problemet teknike sipas AAC-së janë sanuar në ndërkohë, dhe aeroplani është nisur për Basel në ora 6:27 (kohë lokale), në vend të kohës së paraparë në 2:45.
Gjithashtu sipas AAC-së aeroplani i fluturimit 8Q 710 i kompanisë Onur Air me destinacion Antalia, për shkak të një problemi teknik nuk ka mundur të niset në kohën e paraparë, në ora 3:30 (kohë lokale).
Ekipi i mirëmbajtjes së kompanisë është duke e trajtuar problemin.