Flakadanët e lirisë në pullë postare
Prishtinë, 31 janar - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull: Flakadanët e lirisë.
Me këtë emision të ri të pullave postare, Filatelia e Postës së Kosovës synon të ridëshmojë edhe një herë se lufta shekullore e popullit kosovar për pavarësi dhe liri, padyshim përbën qëndresën më të fuqishme dhe më të përgjakur ndër popujt e Ballkanit.
Më 17 janar të vitit 2012, u shënua 30 vjetori i vrasjes së tre dëshmorëve, vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës, veprimtarëve të shquar, përfaqësuesve të rezistencës përmes pendës, ndërkohë që më 31 janar 2012 shënohet 15 vjetori i rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, që përfaqësojnë rezistencën e armatosur.
Sot para jush prezantojmë emisionin e 77- të me radhë të pullave postare titulluar Flakadanët e lirisë, dedikuar heronjve tanë të cilët u flijuan për Kosovën e pavarur, për lirinë të cilën ne e gëzojmë sot. Rezistenca dhe rrugëtimi i tyre heroik u bë udhërrëfyes i bashkëluftëtarëve të tjerë që mbajtën ndezur flakën e lirisë, që organizuan, udhëhoqën dhe u hapën rrugë institucioneve të lirisë, theksoi me këtë rast, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Nuredin Krasniqi.
Nga ana e tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik, z.Besim Beqaj bëri të ditur se iniciativa e Ministrisë që ai drejton dhe e PTK-së për nderimin e heronjve të lirisë me emetimin e një pulle postare, është vetëm një detyrë e vogël e institucineve të Kosovës për veprën e madhe të këtyre dëshmorëve.
Me këtë pullë postare ne sot sublimojmë vlerat më të mëdha të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnuhallau dhe Edmond Hoxha synimi i përbashkët i cilëve ishte liria dhe pavarësia e Kosovës, deklaroi ministri Besim Beqaj.
U.D i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, z.Nuredin Krasniqi së bashku me ministrin Beqaj dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, z.Rexhë Gjonbalajn, zbuluan kornizën me pamjen e pullës postare Flakadanët e Lirisë, ndërkohë që familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve të lirisë iu dhuruan komplete të këtyre pullave postare.
Përmes edicionit të pullave postare Flakadanët e Lirisë, Filatelia e Postës së Kosovës, ka prezantuar disa nga veprimtarët e periudhës së luftës intelektuale të viteve 70/80 dhe luftës së armatosur të viteve 90.
Ky emision i pullave postare përbëhet prej dy pullave postare me nominale 1 dhe 2, si dhe Zarfi i Ditës së Parë.