Firma shqiptare rrënoi ndërtesën më të lartë në Evropë
Frankfurt, 2 shkurt - Kompania gjermane AWR-Abbruch e vëllezërve Viqa nga rrethi i Ferizajt ka bërë në orët e paradites të së dielës shkatërrimin e kontrolluar të njërës ndër ndërtesat më të larta në Evropë.
Është fjala për ndërtesën 120 metra të lartë e selisë së Universitetit të Frankfurtit e njohur me emrin Afe-Turm, e cila ishte ndërtuar në vitin 1972.
Ky rrënim është konsideruar si më i madhi dhe më spektakolari që është bërë deri më tash ndonjëherë në Evropë.
Operacioni bëhej aq më i ndërlikuar për faktin se fare pranë ndërtesës, ka shumë ndërtesa të tjera banimi, stacione hekurudhore etj. Për këtë arsye është dashur të evakuohet i gjithë perimetri prej 250 metrash nga vendi i shpërthimit. Pastaj gjithçka ka shkuar sipas mënyrës së paraparë. Pas 9 sekondash, ndërtesa gjigante nuk ekzistonte më.
130 punëtorë kanë qenë të angazhuar në këtë operacion të rrallë e të guximshëm të vëllezërve Viqa.
Televizionet gjermane e kanë transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë aksionin. 50 mijë tonë konstruksione të betonit me këtë rast janë rrënuar përdhe.
Rreth 30 mijë kureshtarë e kanë ndjekur nga afër këtë spektakël të rrallë.