22 Dhjetor 2024

Fillon ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare

Vërmicë, 25 prill - Në Vërmicë u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve të autostradës Morinë- Vërmicë- Prizren- Prishtinë- Merdarë. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë personalitete të ndryshme, ambasadorë të akredituar në Kosovë, si dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Pas fjalës së tyre, ku kjo autostradë u cilësua si rruga e kombit, të dy kryeministrat, ai i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaci i kanë dhënë startin fillimit të punimeve në autostradën Vërmicë-Merdarë.
Nga Prizreni, në ceremoninë e inagurimit të fillimit të punimeve të autostradës Vërmicë-Merdarë kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se kjo autostradë i hap rrugën Kosovës drejt integrimit euroatlantik, por do ti shërbejë edhe vendeve të tjera të rajonit.

‘Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin në rajon, korridori i kombit i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Evropës qëndrore. Por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre evropian.

Korridori së shpejti do të jetë korridor bashkëpunimi miqësie me vendet e rajonit. Unë kam bindjen më të madhe se nuk do jetë e largët dita kur nga ky korridor do të fitojë Serbia jo më pak se Shqipëria, Maqedonia jo më pak se Kosova. Më këtë korridor gjithashtu, qeveria e Kosovës, autoritetet e Kosovës bëjnë një hap të madh drejt krijimit të një infrastrukture të një shteti evropian. Dhe në këtë sens është korridori i integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Evropës”, tha kryeministri Berisha. Ai premtoi se pas këtij inagurimi do të bëhet edhe inagurimi i fillimit të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci gjatë fjalës së tij ka theksuar se sot po nisim rrugën e kombit, ëndrrën e të gjithë kosovarëve, duke shtuar se këtë rrugë ia dedikojmë heronjve të rënë dhe atyre të gjallë. Vec të tjerash kryeministri kosovar tha se kjo rrugë do të mbajë ide, mallra, rritje ekonomike për Kosovën.

“Sot fillojmë rrugën që na bashkon emocionalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin në Evropë, sot po fillojmë rrugën e munguar për Kosovën dhe rajonin, sot ëndrrën po e bëjmë realitet.  Përvec dëshirave ëndrrave për integrime kombëtare kjo rrugë do të mbart ide, mallra, rritje ekonomike për Kosovën, kjo rrugë do i japë shtytje zhvillimeve të shumëanshme në shtetin tonë të ri”, tha Thaci.

Ndërkaq, më herët Presidenti Sejdiu nga ana e tij tha se autostrada do të ndikojë drejt për drejtë në ekonominë, mirëqënien e qytetarëve kosovarë. Ndërtimi i kësaj rruge sipas Sejdiut sjell Kosovën më afër bregdetit dhe qytetarët shqiptarë më afër Kosovës.

"Kjo autostradë do të ndikojë drejt për drejtë në jetën e mirëqënien e qytetarvë tanë. Po përtej lehtësive të mëdha kjo udhë ka domëthënie të fuqishme shpirtërore për ne se shënon përfundimin e ndarjes së padëshiruar që na është imponuar për shekuj me rradhë. Ne do u japim mundësi qytetarëve të vendit tonë që më lehtë të prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe Jonit, anasjelltas do ua bëjë më të afërt qytetarëve të Shqipërisë gjithë Kosovën. Do të marrin fund udhëtimet e gjata dhe të lodhshme dhe do të hapen horizonte të reja për bashkëpunim intensiv tregtar, turistik", tha Sejdiu.

Në të njëjtën linjë me të është shprehur edhe kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. "Sot po nisim rrugën e kombit dhe po bashkojmë kombin pas 100 vjet ndarje dhe integrohemi në Bashkimin Evropian, ndryshe mund të quhet dhe rruga e integrimeve në rajonin dhe Evropën", u shpreh Krasniqi.

Ndërsa ministri i Transportit të Kosovës Fatmir Limaj tha se ndërtimi i kësaj rruge të rëndësishme shënon ardhjen e kohëve të ndërtimit duke lënë pas kohën e rënimit për Kosovën. Ministri Limaj duke folur për rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge u shpreh se ajo do të krijojë lidhje ndërkombëtare për Kosovën.

"Në të kaluarën rruga e qytetarëve të Kosovës përfundonte në Prizren, rruga e qytetarëve të Shqipërisë në Kukës. Mes Prizrenit dhe Kukësit ishte botë e ndaluar. Kjo rrugë do i japë fund kësaj bote të ndaluar. Me ndërtimin e kësaj autostrade Kosova do bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj. Me finalizimin e këtij projekti ne duam që rrugët tona të ndërlidhen me ato të fqinjve tanë dhe të na cojnë në gjithë anët e botës", u shpreh Limaj gjatë ceremonisë.

Më pas, ambasadori i SHBA-së, në Kosovë Christofer Dell, tha se kjo rrugë tregon zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën. “është një rrugë vendimtare e rrugëtimeve të Kosovës për të qenë një komb i lirë, një shtet i aftë që të marr vendimet për veten e vet dhe të vendosë cilat janë nevojat duke i vënë në dispozicion të gjitha resurset për të implementuar ato vendime. Kjo rrugë që është një prej rrugëve më komplekse, dhe më të kushtueshme që është ndërrmarë të implementohet nga shteti i Kosovës, dëshmon fazën e re të ushtrimit të pavarësisë së saj”, tha Dell.

Që një ditë më parë, qyteti i Prizrenit është mbushur me flamuj shtetërorë e kombëtarë të Kosovës dhe me pankartat e shumta me fotografitë e dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe Shqipërisë me mbishkrimin “Vazhdojmë Bashkë”. Prizrenasit, ashtu si edhe autoritetet komunale, këtë projekt më të madhin infrastrukturor në vend, e vlerësojnë të një rëndësie të veçantë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)