Filloi dhënia e targave të reja të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 6 dhjetor - Sot, në mënyrë solemne filloi dhënia e targave të reja të Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme do të fillojë edhe me prodhimin e librezave të reja të regjistrimit të automjeteve, të cilat do të kenë dizajn të ri, një mënyrë të re të regjistrimit dhe krahasuar me librezat e vjetra, kanë shumë më tepër të dhëna që i plotësojnë standardet e Unionit Evropian.
Në ceremoninë e dhënies së targave të reja e cila u organizua në ambientet e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë ishte ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i cili e bëri dorëzimin e tri palë targave të reja për qytetarët, të cilit kishin aplikuar për marrjen e tyre.
Sot është ditë e gëzuar pas një pritjeje mjaft të gjatë për tabelat e reja të regjistrimit me logon RKS (Republika e Kosovës). Sot filluam në mënyrë simbolike më dhënien e tyre dhe ishin disa qytetarë, të cilët kishin fatin të jenë të parët, tha ministri Rexhepi.
Ai shtoi se për furnizim me këto tabela të reja, përpos personave civilë, mund të fillojnë menjëherë edhe institucionet shtetërore.
Ministri Rexhepi pohoi se tenderin për prodhimin e targave të reja e ka fituar kompania që i ka plotësuar të gjitha kriteret sa i përket dizajnit, kualitetit dhe sigurisë së lartë të këtyre tabelave.
Ndërkohë, z. Rexhepi bëri të ditur se nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), janë informuar të gjitha shtetet për vendosjen e tabelave të reja.
Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) i kemi informuar të gjitha shtetet për tabelat e reja dhe nuk presim probleme, përveç fqinjit verior që ka ende probleme me ta, tha ministri Rexhepi.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme do të fillojë me prodhimin e librezave të reja të regjistrimit të automjeteve, të cilat do të kenë dizajn të ri, një mënyrë të re të regjistrimit dhe krahasuar me librezat e vjetra, kanë shumë më tepër të dhëna që i plotësojnë standardet e Unionit Evropian.