Faturat e ujit mund të paguhen në Zyrat Postare
Prishtinë, 27 qershor - Posta e Kosovës Sh.A. ka lidhur sot marrëveshje me Kompaninë Ujësjellësi Rajonal Prishtina si dhe me kompaninë Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës Infrakos.
Marrëveshjet janë nënshkruar në një ceremoni publike në Zyrën e Kryeshefit të Postës së Kosovës Sh.A., Sejdi Hoxha.
Marrëveshja me Ujësjellësin ju mundëson qytetarëve të kenë më afër edhe një shërbim. Ata do të kenë mundësi të paguajnë në zyrat tona postare jo vetëm faturat për telefoni mobile dhe fikse të PTK-së, por edhe faturat e ujit. Posta e Kosovës do të sjellë edhe në të ardhmen shërbime sa më afër qytetarit, ka thënë Hoxha.
Për rëndësinë e këtij bashkëpunimi me Postën e Kosovës, në dobi të qytetarëve, ka folur edhe Kryeshefi i KUR Prishtina, Gjelosh Vataj.
Të gjithë konsumatorët tanë të Ujësjellësit, që nga nesër, mund të paguajnë faturat për ujë në çdo zyre postare të Postës së Kosovës në rajonin e Prishtinës. Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë me këtë kompani, ka thënë Vataj.
Ndërkaq, kontrata mes Postës dhe Infrakos-it përfshin shfrytëzimin e shërbimeve postare në të gjitha zyrat e kompanisë Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës.
Jam i lumtur që pas konsultimeve që kemi pasur po e finalizojmë këtë marrëveshje. Të dy kompanitë tona do të përfitojnë, ka thënë Agron Thaçi, Kryeshef Ekzekutiv i Infrakos-it.