Falimenton kompania ajrore Hello
Basel, 23 tetor - Kompania e njohur ajrore zvicerane e fluturimeve çarter Helloka njoftuar për falimentim të saj. Me këtë rast janë ndërprerë në mënyrë të menjëhershme edhe fluturimet e kësaj kompanie nga aeroporti i Bazelit dhe ai i Cyrihut, respektivisht drejt këtyre aeroporteve.
Siç bën të ditur Hello, në një njoftim të publikuar mbrëmjen e të dielës, nga ky falimentim do të goditen 140 punëtorë të kompanisë dhe rreth 3000 pasagjerë që kishin biletat për udhëtim me aeroplanët e saj.
Kompania është duke kërkuar një zgjidhje përmes një plani social për punëtorët e mbetur pa punë. Ndërsa për udhëtarët e dëmtuar ajo po kërkon zgjidhje te kompanitë simotra.
Si arsye për këtë falimentim përmenden porositë e paplotësuara që ka marrë kompania nga partnerët afaristë të saj, shtimi i konkurrencës dhe kostoja e lartë e karburanteve.
Veç të gjitha këtyre, si njëri ndër shkaqet përmendet edhe ish shefi i financave, i cili kishte paraqitur shifra të falsifikuara të afarizmit.(albinfo)