Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike paraqiti studimin për parkingjet
Prishtinë, 22 korrik - Sot, në bazë të marrëveshjes në mes të Komunës së Prishtinës dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike u bë paraqitja e "Projektit për rregullimin e komunikacionit në lëvizje dhe krijimin e parkingjeve në territorin e Komunës se Prishtinës".
Në këtë projekt u paraqit analiza dhe inventarizimi i hapësirave publike në zonën qendër të Komunës së Prishtinës dhe përcaktimi i zonave të cilat janë të përshtatshme për krijimin e hapësirave dhe organizmin e parkingjeve në këtë pjesë të qytetit.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, përkatësisht Departamenti i Komunikacionit, paraqiti të gjeturat dhe rekomandimet në qendër të qytetit si zonat me të përshtatshme për parkingje.
Zona e qendrës e ndarë në 11 pjesë do të ketë vend për 4.000 vetura të cilat me sistemin e ri të parkingjeve do të jenë të kufizuara në kohë dhe me pagesë. Ndërsa për banorët e kësaj zone do të ketë trajtim të privilegjuar. Pas zonës qendër, puna do të vazhdojë me lagjet në zonën 2.
Komuna e Prishtinës së bashku me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të vazhdojnë me organizimin e parkingjeve sipas modeleve të kryeqyteteve evropiane dhe në përputhje me kërkesat e ligjeve dhe rregullave përkatëse mbi sigurinë në trafik.
Pas prezantimit u krijuan ekipet e përbashkëta që tash do të punojnë në detajizim. Gjatë muajit gusht të këtij viti do të bëhet shenjëzimi i vendeve, për të filluar me vendparkingjet deri te funksionalizimi i sistemit të pagesave që do të nisë në muajin tetor.
Bashkëpunimi në mes Universitetit Publik Hasan Prishtina dhe Komunës së Prishtinës tashmë po realizohet edhe në praktikë duke mundësuar implementin e projekteve të mëdha si organizimi i hapësirave për vetura në lëvizje dhe atyre të parkuara.
Po ashtu për të njëjtën çështje, Komuna e Prishtinës është duke i arritur marrëveshjet përfundimtare me qytetin e Zagrebit.