22 Dhjetor 2024

EULEX bastis PTK-në, hetime rreth kontratës së Z Mobile

Prishtinë, 15 korrik - Njësia ekzekutive e policisë së EULEX-it në bashkëpunim me Task Forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës, janë duke kryer aktualisht bastisje në tetë lokacione.  Tri nga to janë në Prishtinë, ndërsa pesë të tjerat në Pejë. Këto bastisje kanë të bëjnë me çështje financiare dhe të korrupsionit në lidhje me një licencë të telekomunikimit. 


Në sfond të këtyre hetimeve është bartja e një licence për telekomunikim të një ORRMV (Operatori në Rrjetin Mobil Virtual) në vitin 2007 dhe 2008 ndërmjet Dardafon Sh.p.k; Dardafon. NET. Sh.p.k  dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Prandaj, zyrat e kompanisë Dardafon Sh.p.k; kompanisë Devolli grup Sh.p.k; kompanisë Z-mobile dhe banesat private të përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur.

Përveç kësaj, disa zyra të PTK-së, në veçanti zyra e Kryeshefit Ekzekutiv dhe banesa private e tij, janë cak i bastisjeve. Po ashtu, këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim tjetër të dytë për korrupsion.

Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it.

Këto hetime në vijim janë duke u bërë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

 

Edhe Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së në një konferencë për media ka thënë se hetues dhe policë të misionit të EULEX-it, kanë bastisur sot ndërtesën e PTK-së, me ç‘rast kanë mbledhur fakte rreth dy çështjeve të ngritura edhe më herët nga gazetarë dhe deputet të Kuvendit të Kosovës.

Këto dy raste sipas tij kanë të bëjnë me kontratën e PTK-së me operatorin mobil virtual, gjegjësisht Z Mobile dhe dërgimin e disa punëtorëve për trajnim në Univerzitetin e Kentit.

Haxha ka deklaruar se gjatë bastisjeve nuk është arrestuar, nuk është marrë në pyetje dhe nuk ka asnjë të dyshuar, ndërkohë që PTK në këtë rast ka cilësinë e dëshmitarit.

“Kjo nuk është hera e parë që kemi kontaktuar me EULEX-in për këto dy çështje. Të gjitha dokumentacionet dhe argumentet i janë dorëzuar hetuesëve të EULEX-it dhe tani u mbetet atyrë që të vazhdojnë me punën e vet. Ndërkohë, ne vazhdojmë punën normalisht dhe do të vazhdojmë ta luftojmë krimin në kompani” ka deklaruar  Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha.

Sipas tij, këto hetime ndërlidhen me akuzat e vazhdueshme të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që lidhen me ish-menaxhmentin, të cilët për shkak të interesave të tyre personale janë munduar që ta dëmtojnë PTK.

Dr. Haxha informoi se gjatë vizitës së hetuesëve të EULEX-it, janë njoftuar edhe për gjashtë raste të tjera, të cilat kanë të bëjnë me punën e ish-menaxhmentit të PTK-së.

“Kemi paraqitur edhe gjashtë raste të tjera në EULEX, në të cilat kryesisht është i involvuar ish menaxhmenti i PTK-së, raste këto të cilat e kanë dëmtuar rëndë PTK-në dhe buxhetin e Kosovës”, ka pohuar Dr. Haxha.

PTK sipas tij është e gatshme dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me EULEX-in, në mënyrë që të zgjidh një herë ë përgjithmonë të gjitha çështjet të cilat e dëmtojnë PTK-në dhe imazhin e saj, si dhe buxhetin e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)