EgyptAir, gjendet vendndodhja e rrëzimit
Kajro, 20 maj - Ministri egjiptian i aviacionit tha se rrëzimi i avionit të kompanisë Egyptair me 66 vetë në bord që udhëtonte nga Parisi drejt Kajros, ka më shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një sulm terrorist se sa nga një difekt teknik.
Fillimisht u tha se ekipet e kërkimit në Mesdhe kishin identifikuar nga ajri mbetje të avionit. Por të enjten mbrëma, nënpresidenti i EgyptAir, Ahmed Adel e përgënjeshtroi lajmin në një intervistë për rrjetin CNN.
Presidenti francez, François Hollande u tha gazetarëve në Paris se asnjë hipotezë nuk përjashtohet lidhur me shkaqet e rrëzimit.
Ndërkohë, të afërmit e personave që ndodheshin në bord u mblodhën në aeroport, në pritje të lajmeve për njerëzit e tyre.
Kompania Egyptair tha se e kishte humbur kontaktin me avionin Airbus rreth orës 02:30 të mëngjesit, kur ai ishte në një lartësi prej rreth 11.300 metra dhe vetëm 16 kilometra brenda hapësirës ajrore egjiptiane.
Ministri grek i mbrojtjes Panos Kamennos tha se avioni bëri kthesa të papritura dhe një rënie të shpejtë para zhdukjes nga radari.
Zyrtarët grekë thanë se kërkimet po zhvillohen në det, rreth 130 milje detare në juglindje të ishullit Karpathos.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault tha se Franca do të kontribuojë në kërkime me avionë dhe me anije dhe se po mbahen kontakte të afërta me autoritetet egjiptiane.
\"Jemi në dispozicion të familjeve, kjo është përparësia jonë... prandaj dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet egjiptiane\", - tha ai në një konferencë shtypi në Paris.
Ministrat e Jashtëm francez dhe egjiptian shkëmbyen ngushëllime lidhur me incidentin.