Edhe pa PTK-në fillon autostrada për Shkup
Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, ka deklaruar se mosprivatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) nuk do të ndikojë në planet e Qeverisë së Kosovës për investimet kapitale, të cilat ajo i ka paraparë dhe që janë në projeksionet buxhetore të vitit 2014. Aspak nuk rrezikohen projektet tona. Dua të rikonfirmoj se autostrada në drejtim të Shkupit është e paraparë në Buxhetin e Kosovës për vitin 2014. Pra, mosprivatizimi i PTK-së nuk krijon kurrfarë problemi për fillimin e punimeve në autostradën e re, ka theksuar Beqaj. Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se mosprivatizimi i PTK-së do të jetë një grusht i rëndë kundër proceseve. Vetë fakti se në vitin 2014 ka paralajmërime se do të ketë zgjedhje në nivel qendror, atëherë me siguri do të jetë edhe një mundësi që partitë e ndryshme politike ta shfrytëzojnë mosprivatizimin e PTK-së për ti punësuar militantët e tyre dhe kështu ti sigurojnë votat në të ardhmen, ka theksuar ai.
Kompanitë në garë për autostradën Prishtinë - Hani i Elezit
Bechtel & Enka (SHBA-Turqi), si dhe konsorciumi CMC-Dogus (Turqi-Itali) janë në garë për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit. Projektin e autostradës Prishtinë - Shkup e ka bërë kompania franceze Egis BCEOM Internationale Gilles Pequeux. Gjatësia e këtij projekti është 60 kilometra, me dy seksione: seksioni verior, duke filluar nga veriu i Lypjanit e deri në Kaçanik, me një distancë prej 42 kilometrash, ndërsa seksioni jugor duke filluar nga Kaçaniku deri në kufi me Maqedoninë me një distancë prej 13 kilometrash. Ndarja e këtij projekti është në dy seksione që lejon kryerjen e ndërtimit në disa faza në qoftë se është e kërkuar. Në pjesën veriore projektimi i trasesë kryesore është në përputhje me standardet e TEM për karakteristikat gjeometrike, për një shpejtësi prej 120 kilometrash në orë. Rruga për këtë pjesë është projektuar me dy korsi me nga 3.75 m secila, brezi i gjelbër 4 metra, shiriti ndihmës 3 metra dhe gjerësia e përgjithshme 28 metra. Në pjesën jugore kufizimet topografike së bashku me kufizimet e mjedisit dhe nevojën për të siguruar një projektim me një kosto efektive, ka çuar në vendimin për ta ulur shpejtësinë projektuese në 100 kilometra në orë. Në seksionin verior do të jenë 33 mbikalime dhe nënkalime, 1 kalim hekurudhor, 4 ura mbi lumë dhe 34 struktura hidrologjike, ndërsa në atë jugor do të ketë 2 viadukte të mëdha, 7 viadukte të tjera, 8 mbikalime dhe nënkalime, 1 nënkalim këmbësorësh dhe 13 struktura hidrologjike. Sa u përket tuneleve, projektuesi në pjesën jugore ka parashikuar ndërtimin e tri tuneleve, e që secili përmban dy tuba njëdrejtimesh me dy korsi trafiku në çdo tub, me korridoret ndihmëse midis tubave të afërm çdo 300 metra.
Ndërsa sa i përket gjatësisë së tuneleve, ai i Kaçanikut do të jetë 2.2 kilometra, i Laçit 0.9 kilometra dhe i Kashanit 0.2 kilometra. Në projekt është paraparë të përfshihen të gjitha pajisjet e sigurisë sipas standardeve ndërkombëtare, si rrethojat mbrojtëse, sinjalizime dhe mesazhe të trafikut të llojeve të ndryshme, shenja rrugore etj. Kryqëzimet përgjatë projektit do të ndahen sipas klasave, nuk do të lejohet tjetër qasje në autostradë, e këto janë paraparë në: Lipjan, Babush i Muhaxherëve, Ferizaj, Doganaj dhe Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë.
Epoka e re