Edhe një arritje e Kosovës, ARKEP pranohet në ETSI
Prishtinë, 19 prill - Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është pranuar të martën si anëtar i asocuar në Institutin Evropian për Standarde të Telekomunikacioninit (European Telecommuncations Standard Institute - ETSI).
Vendimi për pranimin e ARKEP në këtë institut, i cili do të ketë një rol veçanërisht me rëndësi për zhvillimin e lëmit të teknologjisë së komunikimeve elektronike në Kosovë, është marrë sot në Asamblenë e 67 të Përgjithshme të ETSI që është duke u mbajtur në Sofia Antipolis të Francës. Marrëveshja për anëtarësim të AKREP në ETSI është nënshkruar nga Kryetari i Bordit të ARKEP z. Kreshnik Gashi dhe Drejtori Ekzekutiv i ETSI z. Luis Jorge Romero Saro.
ETSI është institut i njohur në fushën e telekomit, që përgatit standarde të pranuara në nivel global për fushën e tekonologjisë së informimit dhe të telekomunikimit. Standardet e ETSI përdoren në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe Kosovën. BE e njeh zyrtarisht ETSI-në si organizatë për standarde evropiane.
Me rastin e pranimit të Kosovës si anëtar i asocuar në këtë institut, zyrtarëve të ARKEP i ofrohet mundësia e pjesëmarrjes në të gjitha aktivitetet dhe forumet e ETSI, përfshirë edhe në grupet punuese për hartimin e standardeve në fushën e telekomit, asamblenë e përgjithshme të ETSI-së, punëtoritë për zhvillimet në fushën e telekomit, etj. Me këtë rast Kosova përfiton nga ekspertiza më e mirë botërore në fushën e telekomit.
Anëtarësimi në ETSI përbën një hap të rëndësishëm përpara drejt internacionalizimit të sektorit të telekomunikimeve në njërën anë dhe përbën një mundësi shumë të mirë për zhvillimin dhe profesionalizimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve rregulluese të ARKEP në anën tjetër.
Ekipi i ARKEP-it që po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ETSI-t, në përbërje prej Kryetarit të Bordit të ARKEP-it Kreshnik Gashi dhe Drejtorit të Departamentit të Komunikimeve Elektronike, z.Ilir Imeri, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të autoriteteve simotra nga vende të ndryshme të Evropës me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe gjetjes së përkrahjes për avancimin e pozitës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare të fushës së komunikimeve elektronike.
ARKEP dëshiron të falënderoj në veçanti të gjitha shtetet mike të Kosovës për mbështetjen e dhënë në anëtarësimin e Kosovës në ETSI si edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.