Dyshime për keqpërdorime në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë
Prishtinë, 15 nëntor – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë diskutimi me ç ‘rast ka publikuar të dhënat e monitorimit të procesit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.
Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL theksoi se duke pasur parasysh problemet që kanë përcjellë këtë proces kanë bërë që FOL të monitoroj këtë proces nga fillimi, duke filluar nga procesi i planifikimit e deri tek procesi i shpronësimi Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.
“FOL e ka parë si të domosdoshme që të bëhet një monitorim i tillë me qëllim që të hedhë dritë mbi shpenzimin e 88 milionë eurove të buxhetit të Kosovës, duke ndikuar kështu edhe në hapjen e të dhënave dhe ngritjen e llogaridhënies së institucioneve”.
Elbasan Racaj - koordinator i projekteve në FOL tha se FOL përmes kërkesës për qasje në dokumente publike kishte kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës qasje në këtë kontratë në vitin 2017, mirëpo në atë kohë kjo kërkesë ishte refuzuar me arsyetimin se lënda gjendet ende në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
“Kërkesa e njëjtë e bërë në korrik të vitit 2018 ka hasur në përgjigje të pjesshme vetëm pas paraqitjes nga ana e FOL të ankesën pranë Avokatit të Popullit. Me arsyetimin e mungesës së dokumenteve, Ministria e Infrastrukturës nuk ka ofruar planin e prokurimit në mënyrë që të shihet nëse ndërtimi i kësaj autostrade ka qenë i planifikuar."
"Gjithashtu, në listën e dokumenteve që Ministria nuk na ka lejuar qasje është edhe plani i menaxhimit të kontratës, pa të cilën mund të monitorohen punimet në terren”, tha Racaj.
Sipas tij, ofrimi i pjesshëm i dokumenteve të kërkuara nga Ministria e Infrastrukturës në kuadër të ndërtimit të autostradës, shton dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mos qasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës.
“Përderisa kontratat janë nënshkruar gjatë muajt shkurt, dhe në kontratë parashihet se punimet duhet të fillojnë 5 ditë pas nënshkrimit të kësaj kontrate një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ngase punime kanë filluar gjatë muajit Maj."
"Gjithashtu, ka dyshime edhe rreth kohëzgjatjes së punimeve nëse janë 30 muaj në total siç shkruan në kontratë apo janë 30 muaj ditë pune, siç thonë kompanitë e kontraktuara”, tha Racaj.
Ndërkaq sa i përket procesit të shpronësimit, z. Racaj tha se vonesat në vendimet e Qeverisë së Kosovës për Shpronësim, ka bërë që të rritet numri i shitblerjeve të këtyre parcelave nëpër të cilat kalon autostrada.
Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjilanit z. Sadudin Berisha, theksoi se është e rëndësishme që në zonën ku shtrihet auto-udha në komunën e Gjilanit kryesisht kanë qenë zona të boshatisura dhe si proces për shpronësim ka qenë më lehtë të bëhet shpronësimi i pronave.
“Deri tani procesi ka qenë në rregull kemi pas kryesisht kërkesa për rregullim të pronësisë, që kanë të bëjnë me trashëgimi. Deri në kohën kur ka ardh vendimi përfundimtar ne kemi bërë punën tonë dhe ndryshimet e pronareve për prona janë kryer në bazë të kërkesave të banorëve”, tha Berisha.
Ndërkaq, Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Lipjanit Z. Tasholli, theksoi se këtë komunë e kanë përcjellë shumë probleme gjatë procesit të shpronësimit.
“Më vjen keq që nuk janë prezent përfaqësuesit e ministrive përkatëse, pasi që sot kishin mujt me na ndihmu që në komunat tona me kry punën më lehtë, sepse pavarësisht se bartëse e projektit është Ministria, puna e pronave bie mbi komunat”.
Ai theksoi se komuna e Lipjanit përballet ende me problemet nga autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, dhe poashtu edhe duke qenë se edhe pjesa nga kalon autostrada Prishtinë - Gjilan - Dheu i Bardhë është tokë bujqësore sërish pritet t'iu shkaktohen pakënaqësi te bujqit”, tha Tasholli.
Ai tha se ende zyrtarisht nuk ka pranuar trasenë e autostradës nga do të kaloj kjo autostradë, dhe se kanë vërejtur që ka pas parregullsi gjatë shpronësimit e tokave.
Gjatë këtij takimi të pranishëm ishin dhe përfaqësues të kompanive të cilët theksuan se vonesat e procesit të shpronësimit ka ndikuar në punën e tyre.
Sadik Sadiku, përfaqësues i kompanisë për Lot 6 – Kag Asphalt Company & Beni Com sh.p.k tha se procesi i shpronësimit po ndikon në punën tyre dhe në një mënyrë po varen nga ky proces.
z. Arsim Ramaj, përfaqësues nga kompania GJOKA KONSTRUKSION– tha se punimet janë duke vazhduar dhe duke qenë se gjysma e territorit është tokë shtetërore dhe gjysma është private kanë pasur më të lehtë realizimin e punimeve.
FOL do të vazhdoj me monitorimin e procesit të shpronësimit dhe do të dal me të gjeturat nga vizitat në teren dhe takimet të cilat do të zhvillohen me akter kyç.