Drejtues të RTK-së shpezojnë mijëra euro meditje në Shqipëri
Prishtinë, 11 mars - Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit te Kosovës shpreh shqetësim për shpenzimet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimin e parasë publike nga drejtuesit e RTK-së.
SPRTK ka marr vesh se, rreth 20 anëtarë të Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së, po qëndrojnë këtë fundjavë në Shqipëri me paratë e taksapaguesve kosovarë, duke shpenzuar mijëra euro për mëditje, në kohën kur Transmetuesi Publik përballet me probleme të mëdha financiare dhe është zhytur në borxhe disa milionëshe.
Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, gjatë qëndrimit atje, po tenton që në jotrasparencë të plotë të miratojë disa draft-rregullore përfshirë Rregulloren për Shpërblime, përmes së cilës synohet të legjitimohen pagat e dyfishta klienteliste, me të cilat janë shpërblyer prej vitesh, në mënyrë të kundërligjshme, kryesisht bashkëpunëtorët e ngushtë të menaxhmentit.
SPRTK si përfaqësuese dhe mbrojtëse e interesave të punëtorëve kundërshton keqpërdorimin e parasë publike, udhëtimet e panevojshme me mëditje jashtë vendit si dhe injorimin e anashkalimin e përfaqësuesve sindikalë të punëtorëve, në procesin e hartimit dhe plotësimit të rregullativës ligjore.
Shpenzimet e Bordit dhe menaxhmentit të RTK-së për paga dhe mëditje, janë rritur në mënyrë enorme krahasuar me vitet paraprake. Sipas raportit të South East Europian Media Ovbservatory të publikuar në fund të vitit të kaluar, Bordi i RTK-së për vitin 2014 ka shpenzuar 152 mijë euro për paga dhe meditje, duke tejkaluar shpenzimet e planifikuara për 110 mijë euro.
Në vitin 2008, për mëditje të Bordit ishin shpenzuar 36 mijë euro, ndërsa në vitin 2015 shifra ka arritur në 153 mijë euro. Pagat e kontraktuara të menaxhmentit në vitin 2008 kanë qenë 99 mijë euro, ndërsa kanë arritur në 157 mijë euro gjatë vitit 2015, pa përfshirë kabinetin e këshilltarëve të drejtorit gjeneral.