24 Dhjetor 2024

Drejtori i PTK-së vazhdon të marr pagë edhe nga Trusti

Prishtinë, 13 qershor - Ejup Qerimi, drejtor aktual i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), edhe më tutje vazhdon të marrë pagë nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) si anëtar bordi.

Ai në fillim të këtij viti, kishte deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga pozita që e ka pasur atje, pasi që mbajtja e dy pozitave është cilësuar si konflikt interesi nga Gjykata për Kundërvajtje e Prishtinës.

Por, edhe pse pati deklaruar se ka dhënë dorëheqje, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ai ka vetëdeklaruar se edhe më tutje merr pagë vjetore nga TKPK-ja në vlere prej 12 mijë e 600 euro.

Po ashtu, Qerimi ka deklaruar se paga e tij vjetore si drejtor i PTK-së është rreth 53 mijë euro. Ai në formularët e AKK-së po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi tokë bujqësore në vlerë prej 40 mijë euro, oborr në vlerë prej 5 mijë euro, banesë dhe shtëpi pushimi 55 mijë euro, veturë 13 mijë euro, 33 % të aksioneve në kompaninë “Kosova Batteries”, si dhe 24 mijë euro para të gatshme në llogaritë e tij bankare.

Po ashtu, edhe kreu i bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka në pronësi tokë dhe oborr shtëpie në vlerë prej 130 mijë euro, shtëpi me dy lokale 150 mijë euro, tokë 70 mijë euro.

Ai po ashtu, ka deklaruar se ka në pronësi biznesin privat “NP-RAR” që ka një vlerë prej 90 mijë euro, si dhe 66 mijë e 795 euro para të gatshme në bankë. Edhe ish-drejtori i KOSTT-it, Fadil Ismajli, tash ministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi tokë në vlerë prej rreth 250 mijë euro si dhe 4 banesa në vlerë prej 200 mijë euro. Ismajli po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi 20 për qind të aksioneve në kompaninë “Archlighting” si dhe 100 për qind të aksioneve në emër të fëmijëve në kompaninë “Archlab”.

Po ashtu, ministri aktuali MZHE-së në llogaritë e tij nëpër banka komerciale ka edhe 81 mijë euro para të gatshme, gjersa të hyrat e tij vjetore familjare janë rreth 60 mijë euro.

Edhe drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj, në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi patundshmëri, por pa e caktuar vlerën e saj. Gjukaj ka në pronësi edhe një veturë në vlerë prej 6500 euro, si dhe 8000 euro stoli ari. Ai po ashtu nëpër llogaritë e tij bankare i ka rreth 29 mijë euro para të gatshme.

Hoxha, 60 mijë euro në bankë

Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se ka në pronësi patundshmëri në vlerë prej rreth 500 mijë euro. Ai po ashtu, ka deklaruar se nëpër llogaritë e tij bankare ka edhe rreth 60 mijë euro para të gatshme.

Po ashtu, edhe Adrian Zalli, drejtor i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK), ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi, por pa e caktuar vlerën e tyre.

Zalli ka në pronësi edhe një veturë në vlerë prej 12 mijë e 700 euro, rreth 22 mijë euro para të gatshme, deri sa të hyrat e tij vjetore janë në vlerë prej 74 mijë euro. Edhe zëvendësi i Zallit Vërshim Hatipi, ka deklaruar se ka në pronësi patundshmëri në vlerë prej rreth 370 mijë euro, veturë 13 mijë euro, posedim të letrave me vlerë, rreth 22 mijë euro para të gatshme. Hatipi ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore familjare janë rreth 80 mijë euro.

Edhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) Shkelzen Lluka, ka deklaruar se ka në pronësi 134 mijë euro patundshmëri, 22 mijë euro dy vetura, si dhe 11 mijë e 500 euro para të gatshme. Lluka ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore familjare janë 50 mijë euro.

Edhe zëvendësi i Llukës, Naim Avdiu në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi patundshmëri në vlere prej 1.4 milion euro, 33 për qind të aksioneve në kompaninë “Ura e Bashkimit”, 9 mijë euro para të gatshme në bankë. Po ashtu, edhe Mrika Tahiri, zëvendësdrejtoreshë në AKP, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 210 mijë euro, si dhe një truall në vlerë prej 120 mijë euro, si dhe 22 mijë euro para të gatshme në bankë.

Edhe avokati i popullit Sami Kurteshi në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi patundshmëri në vlerë prej 900 mijë euro, 50 mijë euro bibliotekë private, 220 mijë euro shitore verërash, si dhe rreth 10 mijë euro para të gatshme në banka komerciale në vend.

Gërguri me 14 llogari bankare

Ish-guvernatori i bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gurguri, si duket është zyrtari me numër më të madhe të llogarive bankare të hapura nëpër bankat komerciale në Kosovë. Gurguri në 14 llogari të tij private ka të depozituara më shumë se 100 mijë euro.

Po ashtu, ish-guvernatori në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 130 mijë euro, si dhe truall dhe tokë në vlerë prej 13 mijë euro. Gërguri ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore janë në vlere prej rreth 60 mijë euro.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)